
Eriselda është një e re, e cila ka treguar sot një histori aspak të zakontë. Ajo është bërë protagoniste e “Shihemi në Gjyq” me një deklaratë shumë të fortë kundrejt bashkëshortit të saj.
Në insertin prezantues të rubrikës nga “E diela shqiptare” në “Tv Klan” ajo shprehet se i ka kontrolluar celularin bashkëshortit sepse dyshonte se e tradhtonte.
Eriselda: Dyshoja që bashkëshorti më tradhtonte. E shikoja që fliste në telefon nëpër cepat e shtëpisë. Vendosa t’i kontrolloj fshehurazi telefonin. Nuk po e besoja. Gjithë ato mesazhe, gjithë ato telefonata vetëm në një numër dhe kur e zbuloj, ishte një burrë.
Pasi hyn në studio, Eriselda zhvillon një bashkëbisedim të shkurtër me Ardit Gjebrean dhe Eni Çobanin duke konfirmuar veprimin e saj dhe shprehur ndjesinë që ka përjetuar.
Ardit Gjebrea: Pra, në mesazhet që ti kontrollove në celularin e bashkëshortit, pe që ai fliste me një mashkull?
Eriselda: Shumë e vërtetë zoti Ardit. Jo jam pataksur, po kam vënë duart në kokë realisht. Shumë telefonata, shumë mesazhe në një numër telefoni.
Eni Çobani: Nuk doli ajo që ti mendoje, një grua por…
Eriselda: Nuk doli një grua, dyshoja për tradhti, por… doli një burrë.
Por fatmirësisht nuk ishte ashtu siç kujtonte por bëhej fjalë për një borxh prej 10 mijë eurosh që burri i saj i kishte dhënë një personi dhe ai ende nuk ia kishte kthyer. Pavarësisht se paratë ai i kishte dhënë përpara se të njihej me Eriseldën, ajo sërish e quan tradhti që i shoqi nuk i ka treguar dhe mbi të gjitha që nuk po bën sa duhet për ti marrë mbrapsht pasi po u rrezikohet shtëpia nga kredia e pashlyer.