Kronike 2 Tetor 2022, 13:08

E bija e Pjerin Xhuvanit kërkon hetim për publikimin e videos së vrasjes

Shkruar nga Pamfleti

E bija e Pjerin Xhuvanit kërkon hetim për publikimin e videos së vrasjes

Vajza e Pjerin Xhuvanit ka kërkuar nëpërmjet avokates së saj, Rezarta Tahiraj, një hetim për publikimin e videove të vrasjes së të atit.

Në një komunikatë për shtyp, avokatja Tahiraj thotë se vajza e viktimës, Evangjeli Xhuvani, i ka “kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan që të hetojë për të verifikuar se kush ka shkelur detyrimin e sekretit duke e bërë publike shpërndarjen e filmimeve ndërkohë që duhet të ishin përdorur vetëm në fushën gjyqësore.”

Po ashtu, kallëzimi i saj ka qëllim të pengojë shpërndarjen e mëtejshme të këtyre filmimeve, pasi kjo situatë i “ka shtuar stres dhe dhimbje në konstatimin që babai i saj është vrarë, pavarësisht pranisë të shumë policëve.”

Komunikata:

Një hetim gjyqësor për t’u filluar me urgjencë është kërkuar nga Avokate Rezarta Tahiraj në Prokurorinë Elbasan për publikimin e disa videove të vrasjes së Pjerin Xhuvanit. Avokate Rezarta Tahiraj, që në seancën paraprake që i përket kësaj vrasjeje është Palë Civile duke përfaqësuar të drejtat e vajzës së viktimës, Evangjeli Xhuvani, me kallëzimin për ndjekje penale i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan që të hetojë për të verifikuar se kush ka shkelur detyrimin e sekretit duke e bërë publike shpërndarjen e filmimeve ndërkohë që duhet të ishin përdorur vetëm në fushën gjyqësore.

Avokate Rezarta Tahiraj, evidenton se kallëzimi i saj nuk ka për qëllim vetëm që të identifikojë autorët e kësaj vepre penale por edhe të pengojë shpërndarjen e mëtejshme të këtyre filmimeve. “Ato imazhe të vrasjes të shpërndara në mënyrë të paligjshme janë parë në mënyrë të pavullnetshme edhe nga e asistuara ime – bën të ditur Avokate Rezarta Tahiraj duke ju referuar vajzës së viktimës – dhe kjo situatë i ka shtuar stres dhe dhimbje në konstatimin që babai i saj është vrarë pavarësisht pranisë të shumë policëve”.

Në kallëzimin e saj avokate Tahiraj i ka kërkuar Prokurorisë të verifikojë nëse krahas videove janë shkelur me shpërndarjen, dokumenta të tjera të fashikullit gjyqësor në përdorim në seancën paraprake. Tahiraj ka kërkuar ndër të tjera që Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan të verifikojë nëse shpërndarja e këtij dokumentacioni gjyqësor të ketë ndodhur në mënyrë të qëllimshme dhe me çfarë qëllimesh ose për neglizhencë ose pakujdesi të atij që kishte detyrën dhe detyrimin për të mbrojtur posedimin, ruajtjen dhe konfidencialitetin.


smile

Kronike #Evangjeli Xhuvani #publikimi i videos Pjerin Xhuvani vrasja