Bota17 Maj 2022, 21:24

“E gjithë bota është kundër nesh”, gjenerali rus rrëzon propagandën: Lufta po shkon shumë keq, Ukraina po mobilizohet

Shkruar nga Pamfleti
“E gjithë bota është kundër nesh”, gjenerali rus

Propaganda e medias shtetërore ruse për luftën e “lavdishme” të Putinit në Ukrainë u shkatërrua mbrëmë nga një kolonel në pension.

Mikhail Khodarenok, një ish-komandant i mbrojtjes ajrore dhe i diplomuar në disa prej shkollave më të larta ushtarake të Bashkimit Sovjetik, në një nga emisionet më të ndjekura të Rusisë deklaroi se lufta po shkon keq dhe ka gjasa të përkeqësohet. Sipas tij, lufta bërthamore është shumë larg dhe janë vetëm kërcënime.

Ukraina, tha ai, së shpejti do të mobilizojë më shumë se një milion ushtarë të cilët do të trajnohen nga Perëndimi dhe do të pajisen me armë moderne, të gatshëm për të vdekur në mbrojtje të atdheut të tyre.

Duke lënë mënjanë ndërhyrjet e propagandistes Olga Skabeyeva se ushtria do të përbëhet kryesisht nga rekrutët, Khodarenok këmbënguli se mënyra se si rekrutohet një ushtri është e parëndësishme. Sipas tij,   ajo që ka vërtet rëndësi është gatishmëria për të luftuar dhe Ukraina “ka ndërmend të luftojë deri në fund”.

“Pozicioni i Rusisë në skenën botërore nuk është më i mirë. Ne jemi në izolim të plotë gjeopolitik dhe se, sado që e urrejmë ta pranojmë këtë, praktikisht e gjithë bota është kundër nesh. Dhe është kjo situatë nga e cila duhet të dalim”, tha ai. /Daily Mail/

Bota gjenerali rus Lufta Putin