Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij përshëndetëse gjatë ekspozimit të Kupës së Botës në ambientet e kryeministrisë. Kreu i qeverisë me nota humori dhe batuta u shpreh se dogana shqiptare për herë të parë u përball me zhdoganimin e dy kupave.
“Jam mirënjohës njërit prej kampionëve të Brazilit që solli kupën këtu. Kur e sheh nga afër duket sikur është bërë nga një skulptor italian dhe i bërë posaçërisht për Brazilin.
Nuk kishte askush më mirë sesa një kampion brazilian të vinte këtu dhe të ishte me kupën.
Këto janë ditë të veçanta për doganën shqiptare, sepse për herë të parë u ndeshën me zhdoganimin e dy kupave, të botës dhe ajo e konfederatës. Janë nga ato halle që do të donim t’i kishim edhe më të shumta në të ardhmen. Edhe pse orët e qeëndrimit janë sa gishtat e dorës, sepse më pas do vazhdojë udhëtimin e saj. Uroj që sa më shumë futbolldashës të kenë mundësoi ta vizitojnë dhe uroj që garda mos ti krijojë probleme.
Shikoj që mes të tjerash këtu është edhe kapiteni ynë, Lorik Cana. Më thënë të drejtën unë nuk e di kush është kapiteni ynë i kombëtar sot. Të gjithë ata që e ndjekin Lorikun janë si zëvendës të tij. Mbase vjen dita ta fitojmë edhe në një kupë”, tha Rama.
Në fund kryeministri shqiptar mori si dhuratë nga FIFA që iu dorëzua nga Silva një kupë të vogël.
“Po e kanë sjellë sipas gjatësisë, paskeni studiuar gjatësinë time”, tha Rama teksa mori në duar një model me përmasa të vogla të Kupës së Botës. Kjo do të mbahet me krenari në muzeun e dhuratave, në zyrën e kryeministrit. E shihni, kjo është kupa e tretë”.