Aktualitet20 Qershor 2022, 15:29

E punësuar në MEPJ, jep dorëheqjen motra e Nuredin Dumanit

Shkruar nga Pamfleti

E punësuar në MEPJ, jep dorëheqjen motra e Nuredin Dumanit

Motra e Nuredin Dumanit, i penduari i drejtësisë që është arrestuar nën akuzë për dhjetëra vrasje në vend, ka dhënë dorëheqjen nga detyra në MEPJ, pasi rezultonte e pajisur me certifikatë sigurie në dikasterin e diplomacisë.

Përmes një letre të hapur, Xhuljana Dumani sqaron se ka vendosur të largohet nga detyra për shkak se me ekspozimin publikisht të fotove dhe vendit të saj të punës, i rrezikohet jeta.

“Jam baltosur në mënyrë të padrejtë e po vijoj të baltosem e të rrezikohen çdo orë e më shumë për shkak të publikimit të të dhënave të mija personale, fotografive, vendit të punës etj, duke ekspozuar seriozisht edhe persona të tjerë, “faji i vetëm” i të cilëve është ndarja e orëve të punës me mua”– shkruan Dumani, ku ndërsa i kërkon ndjesë institucionit për sulmet e orëve të fundit, jep dorëheqjen e parevokueshme dhe të menjëhershme nga detyra.

Motra e Nuredin Dumanit, i cili nën statusin e të penduarit të drejtësisë, me rrëfimet e tij ka çuar në zbulimin e emrave të botës së krimit, ka qenë kryefjalë e mediave pasi u tha se ajo ishte pajisur me një certifikatë sigurie nga NATO. Ministria e Jashtme deklaroi që në asnjë moment zonja në fjalë nuk ka pasur akses në informacion të klasifikuar e aq më pak në informacion të klasifikuar të NATO. Megjithatë pajisja e saj me një dokument të tillë u konsiderua skandal, pasi çertifikata e sigurisë presupozohet t’iu jepet personave që nuk kanë lidhje me individë të inkriminuar, pas kalimit përmes disa filtrave nga DSIK. Ndërkohë e reja, ka një familjar ndaj të cilit rëndojnë 17 akuza, nga grabitje tek tentativa vrasje dhe grup i strukturuar kriminal.

“Ashtu si për çdo punonjës tjetër të MEPJ, edhe për znj. Xh.D është kërkuar certifikata e sigurisë nga DSIK. Kjo certifikatë është, pas dëshmisë së penalitetit, një tjetër filtër nëpër të cilin kalon çdo punonjës i MEPJ”- shkruante Ministria e Jashtme, ndërsa shton se punësimi i Dumanit është kryer konform ligjit, dhe nga dëshmia e saj e penalitetit ajo rezulton e pastër.

Letra e plotë e Dumanit:

Të nderuar,

Prej së shtunës, 18 qershor 2022 jam bërë objekt i keqinformimi të opinionit publik nga disa media, mbi rrezikun që unë si individ paraqes për sigurinë kombëtare dhe institucionin që punoj prej pak muajsh si staf teknik.

Si rezultat i këtyre publikimeve të pavërteta, prej 48 orësh jam në rrezik për jetën dhe e ekspozuar publikisht, jo vetëm unë por edhe kolegë me të cilët punoj prej pak kohësh, e për të cilët do të ruaj vlerësimin tim maksimal.

E vërteta ime e vetme është përpjekja për të ndërtuar një jetë normale, larg profilit të vëllait tim, me dëshirën e një vajze 24-vjeçare, arsimuar me rezultate shumë të mira.

Për shkakun tim prej 48 orësh po akuzohet padrejtësisht edhe institucioni ku unë prej pak kohësh kam dhënë kontributin tim, në një detyrë tërësisht teknike, pa asnjë lidhje për sa pretendohet në media, për akses në dokumentacion të klasifikuar.

Jam baltosur në mënyrë të padrejtë e po vijoj të baltosem e të rrezikohen cdo orë e më shumë për shkak të publikimit të të dhënave të mia personale, fotografive, vendit të punës etj, duke ekspozuar seriozisht edhe persona të tjerë, “faji i vetëm” i të cilëve është ndarja e orëve të puës me mua.

Duke i kërkuar ndjesë institucionit që për shkakun tim është sulmuar për ushtrim detyrash që nuk i kam kryer asnjëherë, më lejoni të jap dorëheqjen e parevokueshme dhe të menjëhershme nga detyra.

ne perditesim…


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet MEPJ Nuredin Dumani