Ilir Meta mes ironisë për kërkesën e Ramës për një “president normal”, deklaroi se nuk mund të pendohej kurrsesi kur iu besua detyra si kreu i Lartë i Shtetit.
Teksa bëri të qartë se s’ka kurrfarë qëllimi për të drejtuar edhe për një tjetër mandat këtë institucion, me tone sarkastike Meta nënvijëzoi se edhe për këtë 5-vjeçar pranoi pasi “nuk mund të prishte dëshirën e socialistëve”.
“Edhe pak muaj na ndajnë sepse në 24 korrik do ndal këtë detyrë dhe do të jemi më të hapur. Asnjëherë nuk pendohem për zgjedhjet sepse i bej me bindje të plotë, nuk i bëj i imponuar nga të tjerët. Në atë koha socialistët nuk pranonin një president tjetër, ata e kishin me shumë dëshirë që unë të bëhesha president e si mund t’ja prishja unë këtë dëshirë atyre”, tha Meta.
Kujtojmë se pas përplasjeve të shumta me Presidentin dhe politizimit të këtij institucioni, mazhoranca e legjislativit të kaluar në bashkëpunim me opozitën, votoi në Kuvend shkarkimin e Ilir Metës, ndërsa fjalën e fundit tashmë pritet ta thotë Gjykata Kushtetuese.