Editorial15 Tetor 2022, 10:20

 Ec Bablok, ke reflekse antiamerikane!

Shkruar nga Pamfleti
 Ec Bablok, ke reflekse antiamerikane!

 Ec Bablok, ke reflekse antiamerikane!

Babloku ka kapërcyer gjithfarë “moçalesh” në rrugën e deritashme. I ka qëlluar të ngjitet majë malit me shokë e të kthehet i vetëm. I ka lënë në baltë!

Shkruan Sokol Pepushaj

Rruga për në burg është plot. Ka “trafik”, karambole, parakalime të çmendura, grushte e shqelma, ku makinat inteligjente të Amerikës dhe BE-së nuk kishin parashikuar reflekse të këtij kalibri.

Kryeministri ynë, në një “parakalim” në Këshillin e Europës, i la pa mend euro-parlamentarët, sa gati u ngeli kafshata në fyt.

Ja lanë shampanjën dhe ushqimet e shtrenjta në tavolinë dhe ikën të skandalizuar, duke prekur kokën me dorë, e kanë apo nuk e kanë me vete…

Babloku, i braktisur nga perëndimorët, doli në rrugë dhe parakaloi të vetmin që takoi, kryeministrin e Kosovës. Nga pas shpine, i zuri sytë dhe bërtiti si i çmendur:

Gjeje kush jam!

Po, kjo “gjeje kush jam” është në modë sot.

Amerika dhe BE- i kanë rrethuar këta që luajnë prej kohësh “gjeje kush jam”. I kanë rrethuar keq se kanë mashtruar keq. Fillimisht, ishin betuar se racën e “Peshkut” do ta zhduknin vetë, pa ndihmë amerikane.

Termi “Peshk” nuk u kundërshtua nga asnjë hajdut. Pesë vjet më parë, të gjithë pranuan para ambasadorit Donal Lu, se po, kanë vjedhur, janë “Peshq”, por pasi lanë në shtëpi orët e bizhutë e shtrenjta, u betuan se do evulonin,  do të ndryshonin mënyrën e jetesës dhe sjelljen.

-Na lini pak kohë, të reflektojmë, të vetë-pastrohemi. Nuk është faji jonë se jemi “Peshq”, – foli njëri prej tyre. 

-Po, tha Donald Lu, peshqit janë kafshë të uritura, prandaj do sakrifikoni, të vegjlit le të ushqehen njëherë të vetme me të mëdhenjtë, pasi nuk ka rrugë tjetër, taksat e popullit amerikan janë investuar në këtë studim.

E keqja që s’mund të mos ja hapnin derën, do të largohej me mbylljen e derës nga vetë shqiptarët.

Hajdutëve u është mbyllur dera, por ç’rëndësi ka. Ata i thyejnë vetë dyert, i ndajnë votat mes vetes, edhe kur nuk votohet.

Babloku ngjitet e zbret shkallëve të pushtetit, sipas qejfit, pa frikë se dikush ja tërheq shkallën. Hipën lart e sundon me arrogancë, zbret poshtë e vjedh me elegancë.

As opozita nuk rri bosh.

Sali Berisha reflekton imazh të dyzuar mes “babaxhanit” antiamerikan që ka ca arsenal “mish për top” dhe skenaristit që ngre skenën e re politike mbi “binarë” kalbësira.

Ngjan me një “profesor periferik”, që Edi Rama nuk e pranon të jetë mungestar në kujtesën e ndërlikuar të një historie të zezë.

Po, Saliu është “Hero” betejash.

32 vjet më parë, kur Ramiz Alia ishte si Edi Rama sot, “tërhiq e mos këput”, ja theu në mes binarin e kalbur sistemit.

Këta ecin nëpër gënjeshtra, sa besojnë nganjëherë edhe ato të vetat. Ka raste kur vërtetë Edi Rama trembet nga Ilir Meta. Babloku ka kapërcyer gjithfarë “moçalesh” në rrugën e deritashme. I ka qëlluar të ngjitet majë malit me shokë e të kthehet i vetëm. I ka lënë në baltë!

Atje ku shqiptarëve u tregon dritën me gisht, kultivuesve të hashashit u bën me sy se budallenjtë e hëngrën edhe katër vjet.

Falë reflekseve, parakalon, u shmanget përplasjeve direkte me ambasadoren Yuri Kim, ecën udhëve që të tjerët i kanë nxirë.

Përmbi krime, duke kapur ç’gjen rrugës, palos me kujdes Flamurin Amerikan që publikisht e kishte shtyrë me neveri kur ishte fukara e pa pushtet, shtiret theror pranë pusetave, kanaleve, gropave, rrënojave me pluhur, varfërisë dhe “baltovinave” e bën sikur zë “Peshk”.

Shqiptarët as mund të qeshin, as mund t’u çelin derën, as mund t’ua mbyllin, as mund të riciklojnë Saliun apo të rrëzojnë Edin.

Ata po, mund të presin të thyejë qafën në ndonjë kthesë dhe të shkruajnë Epitafin në fletë të kalendarit të kësaj vjeshte; ec Bablok, ke reflekse antiamerikane!/Pamfleti

Editorial #Ec Bablok #ke reflekse antiamerikane!