
Zv.kryeministri, Arben Ahmetaj gjatë fjalës së tij në Kuvend ka folur rreth folur rreth menaxhimit të situatës për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Ndër të tjera, ai ka rikujtuar deklaratën e ministres Balluku e cila u shpreh “ecni në kembë jo më makinë”, ndërsa shtoi se ministrja u gjykua, por në muajin mars është përgjysmuar konsumi i naftës.
“Ju kthyet ministres si asnjëherë, kur tha të përdorim sa më pak makina kur s’ka punë të domosdoshme. Shikojeni konsumin e aftës, po shkon drejt përgjysmimit”, u shpreh Ametaj.
Por duket se Ahmetaj nuk ka pasur mjaftueshëm kohë për të parë çmimin e naftës, që dukshëm është një nga arsyet kryesore pse njerëzit të detyruar, kanë lënë makinat në shtëpi.
238 lekë për litër, ky është çmimi aktual që Bordi ka vendosur për naftën në vend, një çmim shumë i lartë në raport me rajonin dhe nivelin e jetesës duke u kthyer në një produkt luksi për shqiptarët.
Por ministrat e përkëdhelur të Ramës, nuk e konceptojnë dot këtë arsye të uljes së konsumit të naftës, pasi sipas tyre njerëzit zgjedhin për “qejf” që të lëvizin me automjete dhe jo për të shkuar në punë.