Aktualitet23 Gusht 2018, 11:47

Edhe Duka në gjurmët e Rezart Tacit/ Futboll-politika që “mbarset” në sirtarët e Saliut dhe “pjell” te fondacionet

Shkruar nga Pamfleti

Edhe Duka në gjurmët e Rezart Tacit/ Futboll-politika që “mbarset” në sirtarët e Saliut dhe “pjell” te fondacionet e familjes Berisha

U bënë 16 vjet që Armando Duka ka marrë drejtimin e futbollit në Shqipëri, si president i Federatës Shqiptare të Futbollit. E nisi si i panjohur, thjesht një biznesmen, me bekimin e Fatos Nanos, duke marrë frenat e futbollit në Shqipëri dhe duke e kthyer këtë sport magjik e popullor në biznes personal dhe të klanit të tij politiko-financiar.

Në këtë rrugëtim ai në fillim kishte pengesë Sali Berishën, por paraja zgjidh gjithcka, ajo e ka bërë edhe Berishën të turret familjarisht pas saj duke mos njohur as parime, as ligj e as dinjitet. Duke kuptuar rolin e politikës në këtë vend, Duka u bë “mjeshtër”, madje puna shkoi deri atje sa edhe titujt kampionë janë vendosur nëpërmjet makinacioneve, një skemë mashtrimi që do të trondisë një ditë opinionin.

Madje edhe skuadrat që bien e ngjiten në kategori nuk janë rastësore, ato bëhen me miratimin e Bos Mandit, i cili qëndron në krye të federatës jo si president i zgjedhur në shërbim të stuatutit e ligjeve, por si kapobandë dhe kreu i një grupimi mafioz.

Duke analizuar me kujdes këtë rrugëtim mafioz ku është marrë peng futbolli shqiptar, kupton se strategjia e funksionimit të projekteve të Dukës ngjan me atë të Rezart Tacit, ish-bosit të naftës. Ai (Duka) kuptoi se nuk mund të cante gjithmonë me ligjin, atëherë bën kompromis me armikun e tij, duke e radhitur futbollin (veten e tij) në një klan politik ku bën pjesë dhe vëllai i tij Agron Duka, aktualisht kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste të Shqipërisë, pjesëtare në koalicionin opozitar me PD-në e Lulzim Bashës (nënkupton të Sali Berishës).

Por Duka e ka mbajtur mirë dhe me kryeministrin Edi Rama, me të cilin ndan interesat te stadiumi “Arena Kombëtare” e Tiranës, një stadium me kullë mbi 30 kate që s’i gjen shok nëpër botë, si dhe një pazar selish e pronash (gjoja të institucioneve) në Parku Olimpik, pra te ish-kompleksi “Dinamo”, të cilin dinamoviti Edi Rama e shkatërroi si klub përfundimisht.

Armand Duka financon ku drejtpërdrejt e ku indirekt projektet e Sali Berishës, që ngjajnë si “lavatrice” parash. Bashkëshortja e “Doktorit”, Liri Berisha, është drejtuese e fondacionit të fëmijëve autikë dhe Duka është parë shpesh t’i bëjë vizita me ekipin kombëtar, duke derdhur dhe “kuotat” që kërkon fondacioni. Përdorimi i skuadrës kombëtare për imazh ka shërbyer vetëm për fotografitë dhe mbulimin e pazarit, sepse Duka dhe Berisha këtë herë janë bashkë dhe pastrojnë pisllëkun e tyre nëpërmjet fondacionit në fjalë dhe shumë projekteve të tjera që zbatohen në nëntokën e krimit në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë.

Të njëjtën linjë kishte më parë dhe pronari i naftës Rezart Taci, që sillte në Shqipëri Milanin (dy herë) dhe Realin e Madridit, duke i mbajtur “ison” Berishës në projektet e tij ogurzeza për vjedhjen e naftës në Shqipëri. Ende dhe sot Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë ka dështuar të cojë pas hekurave bandën mafioze të naftës, lëvizjet e së cilës janë “mbarsur” në sirtarët e Sali Berishës për të “pjellë” fitimet marramendëse që kanë shkuar në pronësi të “familjes”. Ky klan mafioz ka dëmtuar një prej pasurive kryesore të Shqipërisë dhe ky është fakt i pakundërshtueshëm.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Ngjashëm po vepron dhe Duka, duke përdorur federatën, skuadrën kombëtare dhe futbollin si “lavatrice” për punët e pista të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Edi Ramës, treshja namëzezë e krimit dhe e korrupsionit në Shqipëri. Ambiciet e Armand Dukës janë të hyjë në politikë dhe madje fuqishëm, por të gjithë e dinë se asnjë e mirë nuk i vjen Shqipërisë prej kësaj bande. Duka do të vijojë të financojë fondacionet, pas të cilave ngjizet pazari për të futur duart në pasuritë kombëtare dhe në xhepat e shqiptarëve.

Futbolli? Ai ka kohë që ka marrë të tatëpjetën dhe më mirë se kushdo e përshkruajnë vetë kompanitë e UEFA-s që monitorojnë bastet e paligjshme, të cilat kanë dalë në konkluzionin se futbolli shqiptar është i trukuar fund e krye. /Pamfleti

 

Kryesore