Po o kryeministri i (pa)zgjedhur i vendit tim. Personalitete janë edhe prindërit e mi. Nëna ime është personalitet për mua, për qindra nxënës që mësoi e edukoi për 40 vjet me radhë. Është personalitet për sakrificën që ka bërë një jetë të tërë; për të gjitha mospërfilljet që duron këto 30 vjet; për talljet që të toleron ty dhe të ngjashmëve të tu.
Edhe ajo e meriton vaksinën. E meritonte para teje madje. Meriton përuljen tënde, por duron talljen tënde. Talljen që ti bën me jetën.
Edhe im atë është personalitet o kryeministri i (pa)zgjedhur i vendit tim. A e di ti se ajo llamba që ndez zotërote në zyrë e shtëpi, ndriçon edhe falë kontributit dhe punës së tim ati? A e di ti sa netë pa gjumë ka kaluar ky njeri larg fëmijëve të tij për ta ndërtuar këtë vend? Të njëjtin vend që për 8 vjet ti e hodhe në greminë?
E meriton edhe ai vaksinën. E meritonte para teje.
Çdo pensionist i këtij vendi e meritonte para teje, jo vetëm vaksinën, por edhe dinjitetin për të jetuar.
Por ju jeni i paturp z. Rama! Zor të gjendet një vend tjetër në botë, nga Afrika e deri në ishujt më të humbur ku të ndodhë diçka e ngjashme me atë që ndodh këtu. A të ka mbetur ndopak ndërgjegje, ndonjë copë e hollë cipe?
Një njeri i paaftë si ti, që e ka shndërruar luftën për jetën në biznes personal për një mandat të tretë, që sajon spektakle vaksinimi kur as ka një plan dhe as një ide se si do ti mbijetojnë njerëzit e vendit të tij kësaj lufte, një kryeministër propagande boshe së fundmi shpiku termin e radhës “vaksinimi i personaliteteve”.
Ku e ke planin e vaksinimit o kryeministër?
Me 9 mijë vaksina të falura do i shpëtosh njerëzit? Ku shkuan 31 mijë vaksinat e tjera që kishe premtuar?
Sa kohë kujton se do fshihesh pas propagandës dhe vaksinimit në stadiume?
Cila është formula jote përballë situatës në të cilën ndodhemi?
O ti Djall me fytyrë njeriu që merr guximin të luash me jetën deri në këtë pikë: A të ka informuar njeri se vetem për 3 javë kanë vdekur më shume njerëz se 4-5 muaj bashkë?
Me gjoba në rrugë do i shpëtosh njerëzit?
A të kanë informuar se spitalet nuk kanë më vende? A të ka thënë konkubina jote e shëndetësisë se Shkodra nuk ka më shumë se 3 pajisje oksigjenimi për rastet e rënda me Covid? A të kanë thënë se Durrësi është plot?
Çfarë po bën me jetën në këtë vend o Djall?
Ah po, ti nuk merr dot masa se je në fushatë. Sepse të duhet me çdo kusht mandati i tretë. Sepse beson se Zoti do vërë dorë vetë e do të të shpëtojë.
Por njerëzit po vdesin o Djall. Akoma për fushatën po mendon?
Ata të mjerë “personalitete” që ti zgjodhe t’i ndash nga tufa nuk do të ndihmojnë o kryeministër i pacipë. Dhe a e di pse? Sepse ata janë të vetëdijshëm për lojën tënde, por shpresa për jetën është gjithmonë më e fortë dhe natyrshëm as ata nuk do ta kundërshtonin ftesën tënde. Do ta pranonin atë spektakël në këmbim të asaj të shkrete vaksinë.
A i patë sytë e tyre pa jetë? A ua dallove neverinë për ty në atë pjesë fytyre të pambuluar nga maska? Nëse nuk e ke vënë re akoma, hidhi edhe nje sy tjetër fotove të propagandës tënde.
Aty është e fshehur e gjithë filozofia jote. Aty do të gjesh edhe vdekjen… të fshehur pas fytyrës tënde./Pamfleti