
Nga varianti i gripit “flamë” që e zhduku një javë nga qarkullimi tek flama politike që po e mban larg sallës së Parlamentit, Edi Rama po bën të pamundurën që të shmangë dhënien e shpjegimeve.
Gazmend Bardhi hodhi sot një hipotezë të besueshme në seancën e turpshme plenare të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë. Fshehja e Edi Ramës pas fustanit të Lindita Nikollës dhe Elisa Spiropalit vetëm sa e përforcoi bindjen se ai po sillet si një i pandehur që ka frikë se ato që do të thotë mund të përdoren kundër tij. Nga varianti i gripit “flamë” që e zhduku një javë nga qarkullimi, tek flama politike që po e mban larg sallës së Parlamentit, Edi Rama po bën të pamundurën që të shmangë dhënien e shpjegimeve.
Sjellja e sotme ishte kulmi i maskaradës së një pushtetari që nuk di ku të futet. Edi Rama mungoi në sallën ku opozita e Berishës kishte kërkuar mocion me debat, ndërsa Gazmend Bardhi me të tijtë, interpelancë me Kryeministrin. Duke u spërdredhur padijshëm nëpër rreshtat e Rregullores së Parlamentit, Lindita Nikolla bëri aq sa mundi harakiri për shefin e vet, por pa sukses.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Rama bëri dy radhë postim në Twitter, një lloj përgënjeshtrimi dhe nxjerrjes së vetes nga përgjegjësia. Por sërish pa sukses. Sado që Rama vazhdon të këndojë këngën “hetimi në Amerikë nuk ka lidhje me mua”, ai duhet të japë llogari. Ka apo nuk ka lidhje me të, emri i tij në dosjen McGonigal përmendet plot 14 herë dhe është faktuar tashmë që Kryeministri ynë ka gisht.
Prandaj Rama duhet të përgjigjet. Pavarësisht se çfarë bën drejtësia amerikane me Charles McGonigal, Edi Rama ynë duhet të japë llogari para nesh për bisedat që ka bërë me McGonigal rreth zhvillimeve në Shqipëri, dijeninë për ryshfetin e dhënë e të provuar nga Agron Neza, ish-drejtuesit të FBI, financimet që këshilltari tij special ka bërë në mënyrë të paligjshme për hetimin e çështjes, aprovimin për largimin e Jurimex dhe zëvendësimin me Transoil, të lidhur ngushtë, jo vetëm me McGonigal, por me kompaninë ruse Gazprom dhe me Kompaninë serbe NIS.
Me këto çështje Rama nuk po përballet dot dhe kjo nuk është hera e parë që Kryeministri shqiptar fshihet. Nuk ia hedh dot edhe me postimet nga zyra në një rrjet (Twitter), ku komentet janë të kufizuara dhe shqiptarët e përdorin pak.
Ramës nuk ia mban të dalë as në Facebook, të cilin e ka fort për zemër e ku rëndom kthen përgjigje personalisht. Kësaj here ai e di mirë se do të masakrohej nga komentuesit, pavarësisht skuadrave qeveritare që ka ngritur për “like and share”.
Seanca e sotme parlamentare degradoi, gjë që gjithashtu nuk ndodh për herë të parë. Edi Rama ka 10 vjet qe luan në atë sallë sipas qejfit, por sot loja me opozitën i doli nga duart. Një shembull i qartë ky se, pse Edi Rama ka punuar aq fort dhe aq larg për shkatërrimin e opozitës. Ai kurrë nuk ka qenë politikan i zoti në përballje me kundërshtarin apo vendimmarrës që jep llogari për vendimet e veta.
Sot, gojët e liga thonë se Edi Rama ka angazhuar të madh e të vogël përtej oqeanit, me një çek të bardhë në dorë, për të mundësuar informacione mbi dosjen e plotë të McGonigal dhe për të mësuar se deri në ç’pikë është zhytur ai dhe dallaveret që ka bërë. Deri sa të ketë këtë informacion (nëse do të mundet ta sigurojë), ai nuk flet dot, as para opozitës dhe as para shqiptarëve.
Përveç kësaj, ai ia ka marrë dorën shashkave qe hedh nga zyra për të zënë dhëmbët e opinionit publik. Por kësaj radhe loja është e fortë dhe zhurma i ka shkuar larg. Prandaj teoria e Bardhit qëndron. Me gjasë Rama ka frikë të flasë sepse akoma nuk di se edhe sa prova të tjera ka kundër tij dhe gjithçka që mund të thotë, mund ta zhysin më shumë.
Por edhe sa kohë do të mundet Kryeministri ta luajë këtë lojë?/Pamfleti