Vizita në këtë ditë reflekton edhe një mesazh tjetër: Vasalitetin e politikës korruptive të Tiranës ndaj sulltanit turk, servilizmin dhe pranimin e deformimit të historisë për para. Kohët ndryshojnë dhe popujt miqësohen, por jo duke përdhosur identitetin dhe historinë si Edi Rama
Mund të konsiderohet një nga skandalet dhe fyerjet më të mëdha kombëtare që pas shpalljes së Pavarësisë. Edhe pushtuesit e fundit të Shqipërisë kanë nderur me respekt Skënderbeun dhe diellin e përjetshëm të lavdisë së tij.
Edi Rama, për interesa financiare dhe propagandistike, ka pranuar kushtin e sulltanit turk Erdogan, për të zhvilluar vizitën në Tiranë, pikërisht këtë të hënë, në 17 janar, që përkon me 554-vjetorin e vdekjes së heroit absolut kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një nga figurat kryesore evropiane të mesjetës. Kjo ditë, në vend që t’i kushtohej kalorësit të krishtërimit, identitetit pro perëndimor të Shqipërisë, krenarisë më të madhe të shqiptarëve dhe njeriut që bllokoi hordhitë osmane për 25 vjet me radhë, kjo ditë do t’i kushtohet Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, pasardhësit të sulltanëve, të mundur në beteja një nga një nga Skënderbeu.
Qëllimi i vizitës është inaugurimi i shtëpive të rindërtuara nga tërmeti, por simbolika e datës së vizitës është e qëllimshme dhe për të dhënë një mesazh nënshtrimi të qeverisë së korruptuar të Tiranës përballë sulltanit me shumë para të Turqisë, duke mohuar në në një farë mënyre Skënderbeun. Dhe jo vetëm duke e mohuar, por duke e fyer heroin kombëtar.
Edi Rama ka pranuar që ditën e vdekjes së Skënderbeut, ta shndërroje në një ditë feste dhe miqësie me Erdoganin, duke prerë shirita dhe duke hedhur tullumbace në Laç, pikërisht disa kilometra larg Krujës, ku 6 shekuj më parë Skënderbeu shpartallonte rrethimet e ushtrisë së sulltanëve, paraardhësve të Erdogan.
Pse duhej që Erdogan të zgjidhte pikërisht ditën e vdekjes së Skënderbeut për të inauguar shtëpitë në Laç?
A nuk mund të lihej një ditë tjetër, 16 janar, 18 janar, shkurt apo mars?!
Nuk ka dyshim se vizita është caktuar pikërisht në këtë ditë, si kusht i sulltanit turk ndaj Edi Ramës, për të errësuar historinë e Skënderbeut, themeli i identitetit të kombit shqiptar.
Vdekja e Skënderbeut i hapi rrugë pushtimit 500-vjeçar të Shqipërisë nga Turqia. Pushtimi konsiderohet si miqësi dhe vëllazërim nga turqit dhe politika e Erdogan. Në këtë kontekst, vdekja e Skënderbeut konsiderohet nga Turqia si fundi i armiqësisë dhe keqkuptimit mes dy popujve, kur në fakt ishte rifillimi i gjatë i skllavërimit 500-vjeçar.
Vizita e Erdogan është caktuar pikërisht në 17 janar, për ta veshur këtë datë me simbolikën fyese të miqësisë. Vizita në këtë ditë reflekton edhe një mesazh tjetër: Vasalitetin e politikës korruptive të Tiranës ndaj sulltanit turk, servilizmin dhe pranimin e deformimit të historisë për para. Kohët ndryshojnë dhe popujt miqësohen, por jo duke përdhosur identitetin dhe historinë si Edi Rama, për disa investime të qeverisë turke, gjithnjë me kushte pushtëruese, si për shembull për t’i dorëzuar gylenistët, për të hedhur baltë mbi Skënderbeun e kushte të tjera fyese./Pamfleti