Kjo sipërfaqe i është dhënë falas me Vendim Nr 4/3 datë 29.03.2021 të Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) firmosur nga kryetari Edi Rama, zëvendës Erjon Braçe dhe ministrat Belinda Balluku, Bledar Çuçi, Anila Denaj e Blendi Klosi, me mashtrimin për gjoja investime shtesë në shërbim të portit “Marina Vlorë”, kur firma ndërtuese “Marina Residence Vlorë Sh.p.k” është krijuar 20 muaj më vonë dhe nuk ka lidhje me funksionalitetin e portit të ri, por është thjesht biznes ndërtimi
Leja e ndërtimit për firmën “Marina Residence Vlorë Sh.p.k”, dhënë më 16 mars 2022 nga Këshilli Kombëtar i Territorit, zbuloi një koncesion tjetër me bazë vjedhjen e pasurive publike në Vlorë, inskenuar dhe realizuar nga kryeministri Rama dhe Geront Çela i firmës “Brunes shpk”.
Bëhet fjalë, për 57 mijë e 500 m2 truall buzë detit në Zonën Kadastrale 8602 brenda qytetit të Vlorës, dhuruar kësaj firme, si gjoja hapësirë mbështetëse për koncesionin e portit “Marina Vlorë” dhënë nga Ministria e Energjitikës më 29 mars 2021.
Për këtë koncesion, si garues fiktiv u përdorën firma “Albavia Shpk” e Hasan Afizit, skualifikuar se gjoja kishte harruar të bënte sigurimin e ofertës dhe firma “Gjikuria Sh.p.k”, skualifikuar se gjoja kishte harruar të dorëzonte bilancin tatimor.
Deri tani ishte bërë publik, vetëm koncesioni për portin detar që do përfundojë brenda vitit 2024 me financim 28 milionë Euro nga shteti, i cili për 20 vite do shfrytëzohet privatisht nga firma “Brunes” pa i dhënë asnjë qindarkë fitim e taksa Bashkisë Vlorë dhe Qeverisë.
Mirëpo në faqen e firmës “Brunes shpk”, përveç koncesionit të portit “Marina Vlorë” është shtuar dhe një koncesion tjetër në pronësi të saj, i quajtur “Marina Residence Vlorë Sh.p.k”, me objekt ndërtim kullash, pallatesh, qendrash tregtare e vilash në hapësirën bregdetare pranë portit detar.
Kjo firmë është krijuar më 10 gusht 2021, ose 20 muaj pas krijimit të firmës koncesionare të portit “Marina Vlorë”, por me të njëjtin pronar “Brunes Shpk”; ndërsa administratore deri më 1 shkurt 2022, ka qenë Eranda Muskaj, sekretare e Tomë Doshit dhe kandidate e PSD për anëtarë e Këshillit Bashkiak Tiranë në zgjedhjet 2019, bashkë me djalin e Geront Çelës.
Sipas lejes ndërtimore që i ka dhënë Këshilli Kombëtar i Territorit më 16 mars 2022, dhe sipas regjistrit tatimor, rezulton se firma “Marina Residence Vlorë Sh.p.k” prej afro 2 muaj me adminstrator Ervin Baçaj, është koncesion i fshehtë dhënë Geront Çelës për ndërtim kompleksi rezidencial buzë detit në qytetin e Vlorës.
Kjo sipërfaqe toke- truall i është dhënë falas me Vendim Nr 4/3 datë 29.03.2021 të Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) firmosur nga kryetari Edi Rama, zëvendës Erjon Braçe dhe ministrat Belinda Balluku, Bledar Çuçi, Anila Denaj e Blendi Klosi.
I është dhënë 20 muaj pas koncesionit të Portit Detar, për gjoja investime shtesë në shërbim të aktivitetit koncesionar të Marinës, duke cituar dhe këtë të drejtë: “Pa u kufizuar për të marrë sipërfaqe të tjera nëse do t’i nevojiten”.
Në fakt, siç tregon leja e ndërtimit nr. 27, datë 16 mars 2022, sipërfaqja 57 mijë e 500 m2 që i është dhuruar firmës “Brunes”, do bëhet kompleks rezidencial me kulla, vila, pallate, hotele, qendra biznesi, kazino etj., pa asnjë lidhje me nevojat e koncesionit të portit “Marina Vlorë”.
Këtë kompleks rezidencial do ta ketë 100% në pronësi e administrim me shitje apo qira, vetëm Geront Çela, xhambaz i kryeministrit Rama dhe krushk i Tomë Doshit./Pamfleti