Aktualitet31 Gusht 2018, 19:56

Shkruar nga Pamfleti

Edi Rama në “zbulim” të Shqipërisë, zgjohet nga “krevati” i oligarkëve pas 5 vitesh e shkon në një familje të këputur në Shijak. Kryeministri konkurron shoqatat

Kryeministri Edi Rama, më në fund është vënë në “zbulim” të Shqipërisë dhe të jetës së shqiptarëve kudo që janë.

Nuk ka shkuar shumë larg, pasi ka pasur shumë punë sot, sidomos me drejtuesit socialistë të pushtetit vendor, të cilët i ka kërcënuar se, nuk do jenë më kandidatë pjesa më e madhe e tyre.

Ka qënë në Shijak, tek një familje e këputur e cila jo vetëm që ka një shtëpi që po shembet por dhe që vuan për bukën e gojës.

Madje e vë që në hyrje të postimit të tij në rrjetin social ketë fakt kryeministri ynë. Ajo është familja e Hysen Zhupani, varfëria e të cilit e ka bërë kryeministrin Rama që ti vërë duart kokës.

Një “zbulim” të tillë Edi Rama e ka bërë pikërisht pas pesë viteve në krye të qeverisë shqiptare, në një qeverie të majtë dhe me program për “vegjëlinë” pra dhe për familjen Zhupani.

Por Rama pesë vite me radhë i ka kaluar në “krevatin” politik të oligarkëve duke marrë dhe dhënë me këta oligarkë, herë për fshatra turistike, e herë për rrugë që asnjëherë nuk u bënë dhe që nuk dhanë atë që kanë dëshiruar shqiptarët.

Dhe pikërisht kur kemi hyrë në vitin elektoral për zgjedhjet e pushtetit vendor, Rama “zgjohet” nga gjumi në “krevatin” e oligarkëve dhe e sheh veten në shtëpinë e Hysen Zhupanit në Shijak.

I cili nuk ka as krevat të thjeshtë, nuk ka as me çfarë të ushqehet, duke e bërë kryeministrin tonë që të zhytet në “dhimbje” dhe në “llahtari”. Aq sa të hedhë dhe videon në adresën e tij në rrjetin social.

Një rast ky i paparë në analet e historisë politike, ku kryeministri që ka për detyrë të qeverisë dhe të zbusë varfërinë në vendin që ai është mandatuar të qeverisë, qahet për varfërinë. Nuk e di kujt i qahet Edi Rama, pasi është “Vetë Ali e vetë Kadi” në këtë vend.

Por me sa duket ka vendosur ti uzurpojë të gjitha. Pasi mori qeverinë i vetëm, pasi uzurpoi mediat dhe ngriti një TV si ERTV, fisha tashmë lidhet tek kjo media jo te TVSH, tashmë po nxjerr jashtë loje dhe shoqatat e ndryshme që herë herë ndihmojnë këto familjet e varfëra.

Besojmë nuk do të kalojë shumë kohë dhe do ta shohim kryeministrin Edi Rama me çantë shpine dhe me trasta në dorë duke shkuar fshat më fshat të Shqipërisë për të ndarë ndihma.

Ndoshta dhe për ti bërë “sfidë” qeverisjes së tij që nuk kujdeset për ta, pasi nuk mund të shpjegohet ndryshe kjo vizitë e beftë në Shijak.

Shoqatat këtë bëjnë, shpërndajnë ndihma dhe shajnë qeverinë që nuk kujdeset për qytetarët e vet./Pamfleti

 

 

Aktualitet Edi Rama në “zbulim” të Shqipërisë Kryeministri konkurron shoqatat pas 5 vitesh e shkon në një familje të këputur në Shijak zgjohet nga “krevati” i oligarkëve