Aktualitet13 Maj 2022, 18:28

Edi Rama promovon vilën e të fortit të Dibrës si “investim strategjik”

Shkruar nga Pamfleti

Edi Rama ka promovuar sot si “investim strategjik emigrantësh”, një ndërtesë luksoze të ndërtuar në Dibër nga i forti i asaj zone, që është edhe pagëzuesi i nofkës “Babloku”. As më pak e as më shumë por njeriu që kontrollon gjithçka në atë zonë, e që pritet të shpallet shumë shpejt ‘Non Grata’ nga SHBA, si dy shokët e tij të ngushtë.

Rama e ka hedhur në rrjetet sociale të tij, në instagram, dhe në Facebook, me shënimin: “buzë lumit Drin, në fshatin Muhurr të Peshkopisë, një bujtinë e bukur gati të hapë dyert së shpejti, falë një tjetër investimi shqiptarësh të kthyer nga emigrimi, që duke i kthyer kursimet në bujtina mikpritëse e pa taksa, në tokën e gjyshërve të tyre, nxjerrin shumë më tepër të ardhura sesa nga vazhdimi i punës për llogari të dikujt tjetër në tokë të huaj”.

Por shumë shpejt e ka hequr nga Instagrami, duke e lënë vetëm në një faqe, pasi menjëherë kanë nisur reagimet. Komentues të ndryshëm i bëjnë me dije se e kujt është, duke theksuar se është njeriu që ka kryer shit-blerjet e votave. Ndërkaq dikush tjetër i thotë Ramës se ajo tokë do të përmbytet nga liqeni i hidrocentralit të Skavicës, temë që është për një shkrim në vete. E pikërisht këtu e shikon komentuesi kleçkën, pasi promovimin e kësaj vepre e shikon si mekanizëm për pastrim parash, ngaqë pas përmbytjes shteti do ta shpërblejë pronarin me vlerë të lartë, atë të objektit turistik të shkallës së parë.

Në Dibër thonë se ky hotel është me letra të familjarit të deputetes së “çamve të Dibrës” PDIU-së që më pas u bë deputete e PS-së. Ndërkaq, i ati ishte njeriu kryesor i dosjes 184 të përgjimeve që u publikuan edhe nga gazeta gjermane Bild, ku e thërriste Edi Ramën me nofkën “Babloku”.

Ndërkaq, më vonë një i penduar i drejtësisë, e përmend të fortin e Dibrës si të dërguar në një vrasje.

Partia Socialiste e Dibrës, si ajo e Shkodrës dhe e Peqinit, i është gjunjëzuar triumviratit të krimit me pushtet. Pasi ai ka rrahur e më pas larguar të gjithë drejtuesit e vjetër të PS-së, duke i zëvendësuar me të fortë e delenxhi./Pamfleti


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Kryesore Edi Rama Vile