Kryeministri Rama i rikthehet nismës për pastrimin e parave të korrupsionit dhe drogës përmes një ligji të veçantë. Amnisti fiskale dhe penale!
Lëvizja vjen pas lobimit të fortë të grupeve kriminale dhe kokave të korrupsionit. Ata do të deklarojnë paratë e pista duke paguar një tarifë. Tarifa e mbledhur nga qeveria do të përdoret nga pushtetarët për tendera dhe koncesione korruptive.
Nuk mjafton korrupsioni në çdo degë të qeverisjes, plaçkitja e pasurive publike dhe kthimi i Shqipërisë në kanalin kryesor të kokainës që shkon në Evropë, por paratë që vijnë nga korrupsioni dhe krimi duhen legalizuar me një ligj të veçantë, nën kamuflimin e një amnistie fiskale.
Dy vjet pasi u zbyth nga presioni i ndërkombëtarëve, Edi Rama i është rikthyer projektit për legalizimin dhe pastrimin e parave të pista, në këmbim të pagesës së një tarife të caktuar në arkën e qeverisë, para të cilat do të përdoren më pas nga pushtetarët për të vjedhur me tendera dhe koncesione. Kështu synohet përzierja e parave të pista më paratë e qytetarëve që kanë punuar për dekada me radhë në mënyrë të ndershme.
Edhe ata që nuk janë zbuluar deri më tani nga organet ligjzbatuese për aktivitet në fushën e korrupsionit dhe trafiqeve, mund t’i deklarojnë paratë, dhe nuk do të ndiqen penalisht. Pra, amnistia është e dyfishtë edhe penale, por edhe për paratë e pista.
Rikthimi i amnistisë fiskale nga Rama duket se ka ardhur pas një lobimi të fortë të kokave të korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilët synojnë të legalizojnë paratë e pista me ligj, duke nxjerrë jashtë loje SPAK, shërbimet partnere që i ndjekin dhe Drejtorinë Kundër Pastrimit të Parave.
Për të aktivizuar në Kuvend ligjin për amnistinë penale dhe fiskale, Edi Rama po kryen gjoja një konsultim publik, ku do të pyeten qytetarët nëse duan apo jo që të pastrohen me ligj paratë e pista.
Në këtë kuadër, Rama ka shtruar idenë në platformën e ashtuquajtur “Këshillim kombëtar” dhe “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin”.
“Ka njerëz që thonë se emigrantëve shqiptarë që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre duhet t’u jepet amnisti e plotë. Të tjerë thonë se depozitimet në vendin tonë të kursimeve të punës në emigracion nuk duhen inkurajuar përmes amnistisë. Ju si mendoni?”, shkruan Rama.
Konsultimi është thjeshtë një farsë dhe manovër për t’u justifikuar para SHBA-BE, që e kanë kundërshtuar me forcë këtë nismë. Rezultatet e konsultimit do të fabrikohen në mbështetje të pastrimit të parave me ligj. Këtë nismë Edi Rama e prezantoi për herë të parë në vitin 2020. Nisma u kundërshtuar fort nga faktori ndërkombëtar. Komisioni Evropian u shpreh se kjo amnisti nuk garanton që paratë që do legalizohet nuk vijnë nga aktiviteti kriminal.
Në raportin e tij, Komisioni nënvizon se për ‘Moneyval’ është tejet e paqartë se si “do të implementohet Ligji Kundër Pastrimit të Parave në kontektstin e një amnistie të tillë”.
“Një amnisti e tillë tatimore do të ishte shumë e vështirë për t’u zbatuar sepse përkufizimi i pasurive përfshin elementë të tillë si prona e paluajtshme në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, paratë ‘cash’ të mbajtura në monedhën vendase ose të huaj, monedhë dixhitale, sende me vlerë prej ari ose gurë te çmuar. Është e vështirë të garantohet se ato nuk rrjedhin nga aktivitete kriminale, të deklarohen nga pronari i tyre aktual ( përfitues) dhe të rezultojnë nga të ardhurat të cilat nuk i përkasin një periudhe tatimore që ose është ende subjekt i deklaratës tatimore ose subjekt i një kontrolli tashmë të kryer tatimor”, thuhej në raportin e KE,
Gjon Nuncaj, një prokuror shqiptaro-amerikan që ka shërbyer gjatë në Tiranë, për të ndihmuar në rrugën antikorrupsion të drejtësisë shqiptare, është shprehur kundër kësaj nisme.
“Me sa duket, partitë politike mund të bien dakord së bashku shumë bukur kur bëhet fjalë për pastrimin e parave të pista. Cili është mesazhi që ky ligj i dërgon popullit shqiptar?
Njerëzit presin që liderët e tyre të bien dakord për investimet në arsim, ekonomi dhe sistemin e drejtësisë – marrëveshje nga të cilat do të përfitonte çdo shqiptar.
Cili është reagimi i popullit shqiptar për këtë “ligj”, ka pohuar ai.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kundërshtoi hapur planin e Ramës për amnisti fiskale.
“Ne përsërisim këshillën tonë kundër një amnistie fiskale për shkak se ajo mund të minojë nënshtrimin ndaj taksave. Para se të ndërmerret një hap i tillë duhet të ketë sisteme efikase për të dalluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe korrupsion”, ka theksuar FMN./Pamfleti