
Vetëm afera vrastare e Luan Bregasit me punëtorët e ‘Birra Tirana’ për tre vite me radhë, do të duhet ta ndalonte Partinë Socialiste që të kandidonte këtë sipërmarrës.
Erion Veliaj shpalli me bujë listën e kandidatëve të Partisë Socialiste të Tiranës, e cila në vija të trasha ishte ajo e 2019-s. Veçse me pak makiazh. E Veliaj deklaroi me ‘fanfare’ se ka nga të gjithë palët brenda në listë, kur e përmendi si arritje riciklimin për herë të tretë të një nga kapitalistëve më famëkeq në vend si kandidat për këshillin bashkiak.
Bëhet fjalë për Luan Bregasin, i cili ka qenë edhe nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, të cilin Lali e ka rikandiduar. Është pikërisht ky insistim që e ka kthyer këtë listë në listën e Luan Bregasit. Njeriut që siç dhe është bërë publike prej vitesh konsiderohet një nga njerëzit që urrejnë më shumë punëtorët, që shtypin më shumë njerëzit në nevojë, që pashpirtërisht trajtojnë profesionistët e prekur nga një sëmundje e rëndë.
Vetëm afera vrastare e Luan Bregasit me punëtorët e ‘Birra Tirana’ për tre vite me radhë, do të duhet ta ndalonte Partinë Socialiste që të kandidonte këtë sipërmarrës.
I cili siç është bërë publike për vite tashmë, ka trajtuar në mënyrën më jo njerëzore punëtorët dhe specialistët e një prej enteve industriale më të vjetra në vend.
Siç është publikuar prej kohësh në ‘Pamfleti’, një grup specialistësh të ‘Birra Tirana’, që ishin edhe aksionerë të fabrikës, u larguan nga Bregasi, pikërisht sepse donin të fshihnin skandalin që shpërtheu më pas në këtë stabiliment.
Grabitja, mashtrimi dhe evazioni me paratë e shtetit, materialet e palejuara për prodhimin e birrës, si dhe lëndën e parë.
Një nga të larguarit ishte edhe Fatmir Pema, një i sëmurë terminal me kancer dhe një nga teknologët më të vjetër e të specializuar në stabiliment që nga koha e lavdishme e ‘Birra Tirana’.
Fatmiri, si dhe punonjësit e tjerë që u larguan ishin thuajse të gjithë mbështetës, aktivistë dhe militantë të Partisë Socialiste. Përveç fushatës aktive ata kanë qenë edhe komisionerë e vëzhgues në të gjitha zgjedhjet në vend që nga viti 1991. Por Partia Socialiste nuk është më një parti e njerëzve të thjeshtë, e punëtorëve. Ajo është parti e Luan Bregasit dhe e zullumeve të tij e të shokëve të tij.
E gjithë afera që është dokumentuar kohët e fundit mbi gropën e frikshme financiare të sipërmarrjes që sot është nën administrimin e Irfan Hysenbelliut, është denoncuar nga ‘Pamfleti’ me të dhëna e dokumente. Të cilat natyrisht i kanë shkuar edhe qeverisë, edhe Lali Erit, i cili është informuar hollësisht nga punëtorët. Madje edhe deputetit Erion Brace. Por asnjëri nuk e lëvizi gishtin, sepse nuk donin të preknin Luanin ‘mace’, njeriun që sot është identifikuar si politikan veteran i socialistëve, ndërkohë që njerëzit që PS-në e kanë mbështetur në ditët më të vështira të saj, pikërisht ashti i së majtës-punëtorët e specialistët u injoruan dhe u ofenduan. E sot PS me emrin e Luan Bregasit kërkon votën për 14 maj. Po a mund ta japë votën për njeriun që e konsiderojnë një përbindësh, socialistët e thekur të familjes “Pema”. Natyrisht që jo, pasi PS nuk është më partia e tyre, ajo është partia e Luan Bregasit, i cili ha e pi me Lalin e kryeministrin, që bën sikur zihet me Irfanin, që e ka përdorur median sa herë që ka dashur të sulmojë apo largojë njerëz nga partia e Bregasit. Siç ka ndodhur me Saimir Tahirin apo Arben Ahmetajn. Por të gjitha këto, do t’i publikojmë në një shkrim tjetër…/Pamfleti