
Një lajm i befasishëm u zyrtarizua para disa minutave, pasi skuadra e Shkëndijës së Tetovës prishi marrëveshjen me Ferhan Hasanin dhe Ardian Cuculin. Të dy nuk do të jenë pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë për sezonin e ardhshëm dhe Champions League.
“KF Shkëndija falemenderon Ferhan Hasanin dhe Ardian Cuculin për kontributin e dhënë në fanellën kuqezi dhe u dëshiron gjithë të mirat në të ardhmen.
Ferhan Hasani dhe Ardian Cuculi nuk janë më pjesë e Shkëndijës. Të dy futbollistëve u skadoi kontrata më 15 qershor, ndërsa pas bisedimeve me kryesinë është vendosur që bashkëpunimi mos të vazhdohet në të ardhmen. Kështu dy lojtarët tashmë janë larguar nga skuadra dhe si futbollistë të lirë do të kërkojnë angazhimin e rradhës.
KF Shkëndija me këtë rast falemenderon Ferhan Hasanin dhe Ardian Cuculin për kontributin e dhënë gjatë periudhës që ishin pjesë e skuadrës kuqezi, duke u dëshiruar gjithë të mirat në të ardhmen”, – shkruan klubi tetovar.
Burime pranë Shkëndijës së Tetovës për Pamfletin bëjnë me dije se të dy lojtarët nuk kanë rinovuar, pasi u është kërkuar të ndryshojnë termat financiarë në kontratë. Shkëndija e Tetovës po mendon që të ulë tabanin e rrogave dhe të gjithë lojtarëve u është kërkuar rinovimi me zbritje rroge. Kjo gjë nuk u pranua nga të dy lojtarët.