Kosova 1 Shkurt 2023, 11:13

Eksperti britanik: Vuçiç nuk i shpëton dot njohjes së pavarësisë së Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
Eksperti britanik: Vuçiç nuk i shpëton dot njohjes së

Eksperti britanik: Vuçiç nuk i shpëton dot njohjes së pavarësisë së Kosovës

Eksperti britanik i marrëdhënieve ndërkombëtare Daniel Smith ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç po përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin nëpërmjet strategjisë së tij në përpjekje që të qëndrojë larg përballjes me qytetarët për problemet e shtetit.

Në një intervistë për median serbe ‘Danas‘, ai tha se nëpërmjet kartës së tij të destabilizimit dhe përshkallëzimit, Vuçiç po përpiqej të përfitonte nga partnerët ndërkombëtarë.

“Realisht Vuçiç e ka të vështirë vetëm sepse çështja e Kosovës e mban në pushtet dhe larg përballjes me problemet e qytetarëve. Nëpërmjet strategjisë “deri në përshkallëzim”, Vuçiç po përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin, për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja”- u shpreh Smith.

Ai tha se derisa të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për të dy vendet sa i takon njohjes reciproke, Vuçiç do të përpiqet të provokojë tensione për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor.

“Rrjedhimisht, derisa të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, Vuçiç do të provokojë sërish tensione që kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Vuçiç duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por njohje e realitetit, për të cilin vetë Vuçiç është i vetëdijshëm”- shtoi eksperti britanik.

Prishtine Aleksander Vuçiç eksperti britanik Njohja e Kosoves