Manjati ukrainas i drithërave, Oleksiy Vadatursky dhe gruaja e tij, kanë mbetur të vrarë nga sulmi me raketa që goditën shtëpinë e tyre.
Sulmi ndodhi në qytetin jugor të Mykolaiv, ku gjatë natës raketa ruse goditi banesën e tyre duke i shkaktuar vdekjen 74 vjeçar dhe gruas së tij Raisa.
Kryetari i bashkisë së Mykolaiv, Oleksandr Senkevych tha se ishte ndoshta bombardimi më i rëndë rus i qytetit deri më tani. Dëme gjithashtu ka pasur një hotel, një kompleks sportiv, dy shkolla dhe një servis, si dhe banesa. Mykolaiv është në rrugën kryesore për në Odesa, porti kryesor i Ukrainës, dhe është goditur vazhdimisht.
Udhëheqësi i rajonit Vitaliy Kim tha se Vadatursky “bëri shumë për rajonin e Mykolaiv, shumë për Ukrainën”.
“Kontributi i tij në zhvillimin e industrisë bujqësore dhe të ndërtimit të anijeve, zhvillimin e rajonit është i paçmuar”, tha ai në Telegram.
Nibulon ka ndërtuar shumë objekte magazinimi dhe infrastrukturë tjetër për eksportimin e grurit.
Ukraina dhe Rusia janë eksportuesit kryesorë të grurit dhe drithërave të tjera, dhe ndërprerja e eksporteve të shkaktuara nga lufta ka bërë që çmimet e ushqimeve të rriten në mbarë botën.
Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB në Turqi javën e kaluar, që synon lehtësimin e krizës ushqimore.
Rifillimi i eksporteve ukrainase është vonuar nga kontrollet e sigurisë. Por të dielën Turqia tha se anija e parë që transportonte grurë pritej të largohej nga Odesa të hënën në mëngjes.
Ukraina akuzon forcat ruse për vjedhjen e grurit nga fermat në tokat e pushtuara dhe eksportimin e tyre nëpërmjet Krimesë. Rusia i mohon këto pretendime.
Ndërkohë në veri, qyteti i dytë i Ukrainës, Kharkiv, u godit përsëri nga raketat ruse, tha kryebashkiaku Igor Terekhov në Telegram. Tre raketa ruse S-300 goditën një shkollë atje, duke shkatërruar ndërtesën kryesore, tha ai.