Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se emërimet e fundit në misione diplomatike nuk janë të saj, por mbajnë firmën e ish-presidentit Hashim Thaçi. Ajo përmes një postimi në Facebook, ka reaguar pasi i biri i deputetit Haxhi Shala, Flakroni, është emëruar konsull në Pragë. Osmani ka thënë se kjo është praktikë e mbrapshtë dhe se do të shfuqizojë këto dekrete.
“Emërimi i Konsullit të Përgjithshëm në Pragë dhe emërimet e tjera që po publikohen këto ditë janë bërë nga ish-Presidenti Thaçi, e jo nga unë si ushtruese e detyrës. Përkundër kërkesës sime, deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk më është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë”, shkruan Osmani.
Më pas ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani shprehet se emërimi i konsullit në Pragë është në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike të vendeve demokratike.
“Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike të vendeve demokratike. Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm. Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do te shfuqizohen”, përfundon Osmani./KOHA
Pamfleti vazhdimisht ka publikuar fakte që e përfshijnë Halim Krasniqin, konsullin e Kosovës në Tiranë në afera kriminale dhe të rrezikshme. Emërimi i tij në krye të Konsullatës, është mjaft i dyshimtë.