Një rrugë në New York mori sot emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky vendim erdhi në kuadër të kremtimit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams nuk i ka kursyer vlerësimet për komunitetin shqiptar, që punon dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Po flas për njujorkezët e mirë, për ata që kontribuojnë në qytetin tonë, që nuk flasin për të luftuar policinë, por si ta ndihmojnë atë. Kur flas për njujorkezët e mirë, e kam fjalën për komunitetin e shqiptarëve. Ju përfaqësoni njujorkezët e mirë, punëtorë të palodhur, të përkushtuar dhe të devotshëm, që besojnë te siguria publike dhe në jetën cilësore që meritojmë si qytet. Ky emërtim rruge, ku gjithkush që do të kalojë nëpër të, do të ngrejë kokën lart dhe do të shohë emrin, do të tregojë atë që ju e konsideroni lider, një hero, ai është emri që po i vendosim kësaj rruge. Është kaq domethënëse për ta njohur dhe për ta respektuar në një qytet, të cilin ju e keni bërë kaq të madh sa është”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut.