Procesi i zgjedhjes dhe emërimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është shndërruar në një telenovelë, me një fund aspak surprizues për shikuesin, qytetarin e thjesht në këtë rast.
Palët kanë “djegur” raundin e parë të votimit, duke mos paraqitur asnjë emër në Kryesinë e Kuvendit. Punonjësit e protokollit kanë pritur në zyrë deri në orën 16:00 që dikush të shfaqej me zarf të dorë për të regjistruar një emër si kandidat për kreun e shtetit, por më kot. Maxhoranca dhe opozita, shumë larg arritjes së një kompromisi politik, nuk kanë përcjell një kandidaturë.
Sikurse ishte e parashikuar, sot në 09.00 mblidhet komisioni i ligjeve për të konstatuar mungesën e një kandidature dhe për të hartuar raportin përkatës, i cili do t’i kalojë seancës së posaçme plenare.
Ndërsa pasdite në orën 17.00, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon raundin e parë të votimit.
Por, ku ndodhen palët me bisedimet?
Asgjëkundi. Kreu i grupit të PD-së Enkelejd Alibeaj refuzoi të ulet në tryezën e bisedimeve për të negociuar emrin e ri me maxhorancën, nëse nuk merret për bazë drafti me formulën dhe kriteret për zgjedhjen e presidentit të ri, i propozuar nga ai pak ditë më parë.
Sipas draftit, PD kërkon që të propozojë 4 emra kandidatësh e mes tyre të arrihet një dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës për emrin që do t’i dërgohet Parlamentit për votim. Kjo nuk është pranuar nga mazhoranca socialiste, e cila thekson se ky draft është i vlefshëm për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, por jo Presidentit.
Në takimin që zhvilloi me Mesila Dodën dhe Fatmir Mediun të premten, Taulant Balla u shpreh se janë vendosur piketa për një President konsensual, por ende pa një emër konkret. Sipas kreu të grupit të PS-së, në ditët apo edhe “orët në vijim” do të ketë sërish bisedime për emrin e presidentit.
Një ftesë për pjesëmarrje të opozitës në proces erdhi edhe nga kreu i republikanëve, Mediu, i cili nënvizoi se nëse nuk do të ketë unitet në opozitë për të propozuar një kandidat të përbashkët atëherë edhe grupi parlamentar që ai përfaqëson nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi.
Vlen të theksohet se, një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për President. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që raundi konsiderohet i bërë edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidat. Pra opozita nuk e bllokon procesin edhe nëse nuk merr pjesë në seancë, çka do ta bënte të pamundur plotësimin e kuorumit në 3 raundet e para, 84 vota. Në këto terma, nëse palët nuk bien dakord që të ulen për votim me një emër konkret, digjen 3 raundet e para, dhe mazhoranca miraton një emër në raundin e 4, për të cilin i ka 74 votat e nevojshme pas zgjedhjeve të 25 prillit.