Ekonomi 3 Tetor 2022, 21:27

Energjia 42 lekë/kWh, zyrtarisht ende në fuqi/ OSHEE: KESH nuk na ka sjellë vendim të ri të Asamblesë

Shkruar nga Pamfleti

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk është njoftuar zyrtarisht për ndryshime në çmimin, me të cilin Korporata Elektorenergjetike Shqiptare do i shesë energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

OSHEE konfirmoi për TV SCAN mungesën e këtij njoftimi deri në mesditën e sotme, çka kjo nënkupton se në fuqi vijon të mbetet vendimi i Entit Rregullator të Energjisë, për tarifimin me 42 lekë/ kwh konsumin mbi 800 kwh/muaj dhe jo deklaratat e kryeministrit Edi Rama për mosaplikimin e këtij çmimi.

Kjo, për shkak të procedurave ligjore që ndiqen për përcaktimin e çmimeve të energjisë elektrike, që pas deklaratës në rrjetet sociale të Ramës, sollën dhe reagimin e Entit Rregullator të Energjisë, duke specifikuar se nëse çmimi i kostos së blerjes së energjisë nga FSHU nuk ndryshon, as çmimi për konsumatorët familjarë nuk do të ndryshojë.

Më konkretisht, ERE miratoi shtrenjtimin e energjisë, bazuar në aplikimin e  Furnizuesit të Shërbimit Universal, që është një nga kompanitë e OSHEE Group. Në këtë aplikim, FSHU specifikonte se në datën 8 shtator 2022 Asambleja e Përgjithshme e KESH ka miratuar tarifat e shitjes së energjisë elektrike për FSHU, duke vendosur që çmimi për energjinë e klientëve familjarë për konsumin mbi 800 kWh/muaj, të jetë 34.3 lekë/Kwh dhe jo 2.6 lekë/kwh, që ishte deri në atë moment.

Bazuar në këtë vendim, që sillte kosto të rritura për FSHU-në, u miratua dhe çmimi i ri, që ka hyrë në fuqi në datën 1 tetor të këtij viti. Ndërkaq, KESH nuk iu përgjigj interesat të TV SCAN nëse është miratuar një vendim tjetër nga Asambleja dhe nëse po, për çfarë periudhe.

Vetëm përmes këtij vendimi mund të ndiqen sërish procedurat për uljen e çmimit të energjisë, përmes një aplikimi të ri nga FSHU dhe pas një vendimi të ri nga ERE. Sipas aplikimit të depoziatura në muajin shtator, numri i abonentëve që parashikohet të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike është 49 334 në muajin tetor, ndërkohë që në muajt nëntor dhe dhjetor ky numër familjesh rritet në 71 278. /TV Scan

Ekonomi energjia oshe