Ekonomi22 Shtator 2022, 18:27

Energjia mbi 800 kwh do kushtojë 42.95 lekë, FSHU depoziton aplikimin në ERE; preken 71.278 familje

Shkruar nga Pamfleti
Energjia mbi 800 kwh do kushtojë 42.95 lekë, FSHU depoziton aplikimin

Furnizuesi i Shërbimit Universal ka depozituar aplikimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumin mb 800 kwh, duke i kërkuar Entit Rregullator të Energjisë tarifimin me 42.95 lekë/kwh për këtë fashë.

TV SCAN ka siguruar dokumentin, sipas të cilit propozimi për vendosjen e këtij çmimi bazohet në parashikime për blerjen e energjisë përgjatë periudhës tetor – dhjetor, dhe jo në çmimet me të cilat është siguruar energjia deri më tani.

Më konkretisht, në shkresë specifikohet se në datën 8 shtator 2022 Asambleja e Përgjithshme e KESH ka miratuar tarifat e shitjes së energjisë elektrike për FSHU, duke vendosur që çmimi për energjinë e klientëve familjarë për konsumin mbi 800 kwh/muaj, të jetë 34.3 lekë/Kwh.

Është e paqartë përse është miratuar kjo shifër, duke qenë se KESH nuk ka nënshkruar kontrata afatgjata të blerjes së energjisë, duke i bazuar blerjet në baza ditore ose javore. Ndërkohë që, edhe çmimet e blerjeve të kryera deri më tani kanë qenë ndjeshëm më të ulëta. Për 6-mujorin e parë të këtij viti KESH e bleu energjinë me 26 lekë/Kwh.

Ndërkaq, për llogaritjen e çmimit final të tarifimit, FSHU shton shpenzimet në çmimin e shitjes prej 8.65 lekë/ kwh, duke kërkuar që çmimi final të jetë pikërisht 42.95 lekë/kwh. Në çmimin e shitjes FSHU ka përfshirë tarifat e transmetimit, shpërndarjes, kostot administrative, amortizimin, disbalancat, koston e lejuar të kapitalit të punës dhe marzhin.

Sipas dokumentit të depozituar në ERE, në muajin tetor, numri i abonentëve që parashikohet të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike është 49 334, ndërkohë që në muajt nëntor dhe dhjetor ky numër familjesh rritet në 71 278. Referuar procedurave, tashmë vendimi final për rritjen e çmimit të energjisë është në dorën e Bordit të Entit Rregullator të Energjisë./ Scan

Ekonomi çmimi energjia