Nisma Thurje, ka prezantuar muajin e kaluar kandidatin e saj kryesor per Tiranen, ekonomistin Pano Soko. Ajo duket e vendosur që të sjellë në listat e saj perfaqesues nga profesione të ndryshme, duke prezantuar tashmë kandidatin e rradhës për Tiranën, pedagogun e drejtësisë, ish-aktorin Erbi Agon.
Erbi Ago, i cili është rikthyer në Shqipëri ne 2014 pas disa vitesh karrierë si aktor i filmave aksion amerikanë, tashmë një jurist i kualifikuar në Europë dhe sipërmarrës, shpall kandidaturën në siglën e Nismës Thurje eskluzivisht për ‘Pamfleti’, me intervistën e mëposhtme:
Ago, ishte i planifikuar rikthimi juaj dhe kandidatura në Shqipëri, apo vendim i momentit?
Faleminderit për pyetjen, për të evituar çdo lloj konfuzioni, do të doja të theksoja që rikthimi im ka ndodhur në vitin 2014, pra pa asnjë lloj lidhjeje me zgjedhjet e sivjetshme. Siç e dini rrugët e mia me Shqipërinë u ndanë në mënyrë të përkohshme gjatë adoleshencës time. Por gjithmonë endërroja dhe shpresoja për ditën kur do rikthehesha për të dhënë edhe unë kontributin tim. Nuk jam angazhuar politikisht deri sivjet, pasi vendosa te fokusesha fillimisht ne karierin time të re si jurist, pedagog drejtësie dhe sipërmarrës.
Cili është formimi juaj akademik?
Kam kryer studimet e mesme, universitare dhe pas-universitare në institucione Amerikane jashtë vendit. Jam kualifikuar për Praktikë Ndërkombëtare Ligjore pas studimeve juridike ne Universitetin e Drejtësise së Londrës. Aty astistova edhe gjyqtarë në Gjykatën e Bashkisë dhe qytetit të Londrës si dhe këshilltar ligjor me avokatë të Clifford Chance në qëndrën e këshillimit Canning Town. Të gjitha këto pas përfundimit të studimeve të para universitare për Shkenca Politike në Universitetin e Richmond-it.
Në adoleshencë, kam qënë aktor në produksione Amerikane, por kur erdhi momenti për studimet universitare vendosa ti përkushtohesha karrierës akademike. Kam qënë Asistent Profesor në Universitëtin e Richmondit (i punësuar teksa kryeja vetë studimet aty) dhe pas 5 viteve kur u riktheva në Shqipëri vazhdova si pedagog të drejte Biznesi në Tiranë.
Çfarë ju bëri të shpallni kandidaturën?
Arsyet janë të shumta, por nuk dua të tejzgjatem më shumë se ç’duhet. Jam rikthyer me shpresën se Shqipëria do të ishte një vend ndryshe nga ai që lashë në fëmijëri. U riktheva përkohësisht në 2013 nga studimet pasi kisha konstatuar që mandati i dytë PD- LSI po e çonte vendin në greminë, dhashë votën time per PS dhe u zhgenjeva çdo vit nga 2013 e deri tani. Shpresoja për ndryshim, por sot ende na sundojnë tre partitë tradicionale në mënyrën e tyre të vjetër.
Përsë ju bashkuat Nismës Thurje e jo këtyre Partive të cilat minimalisht mund tiu ofronin diçka më të sigurt për karrierën tuaj?
Dua të tregohem i thjeshtë, nuk më ofruan, por gjithsesi nuk do pranoja. Jetojmë të drejtuar nga fantazma të komunizmit, nga monstra të tranzicionit e nga ndonje marionetë tek tuk e vënë në emër te “rinisë” apo “gjeneratës së re.” Nderkohë, gjenerata e re ka 30 vjet që shikon të njejtat fytyra të mallkuara që pasojnë sundimin, e jo thjeshtë drejtimin e Shqipërisë mes njëra-tjetrës.
Jetojmë të qeverisur me mentalitet bashkiak, të fokusuar tek pemët, ndonjë rrugë, muret dhe reklamat, e jo tek ekonomia, shëndetësia, mirëqënia, punësimi e arsimi. Për këtë arsye, unë vendosa ti bashkohem Nismës Thurje, një grupi me të rinj të përgatitur, të moralshëm, e të lodhur nga dekadat e mashtrimeve.
Do bëni koalicion me forcat tradicionale?
Jo, ne jemi një parti e cila e ka deklaruar që do të jetë gjithmonë nje opozitë e fuqishme, përfaqësuese e elektoratit që rëndom nuk përfaqësohet. Mund të duket e pabesueshe, por këtë do ta tregojmë me vepra. Lufta kundër oligarkëve, rishikimi i çdo kontrate konçesionare duke përfshirë edhe ato të vjetra, mbështetja e fermerit për çdo litër qumësht të shitur me faturë tatimore dhe pa tavan, suporti dhe ndihma për akses të thjeshtëzuar në skema financiare për subvencione dhe fonde Europiane, etj.
Ju kanë thënë shpesh që jeni filial i njërës parti apo tjetrës, çfarë doni t’u thoni atyre që mendojnë kështu?
Do të doja të theksoja që është e rëndësishme që një demokraci të karakterizohet nga zgjedhje multi-partiake. Një nga dëshirat tona është të luftojmë profilin bi-partiak që është ngritur nga PS e PD, si dhe atë klientelist të ngritur nga LSI. Normalisht, përgojimi dhe prishja e imazhit të forcave të reja eshte diçka që u intereson atyre. PS është një parti që duhet të përballet me një popull të vjedhur, të rraskapitur nga këto 8 vite. Ndërkohë PD, një parti që ka zhgënjyer opozitarin e ndershëm demokrat. Për të mos folur pastaj për Parti Koalicioniste të etura për poste ministrash dhe vende pune, që duan të bëjnë ligjin me 4 mandate pa qënë e rëndësishme se me kë e ndajnë shtratin, si në rastin e LSI-së.
Ne do të jemi një forcë opozitare deri sa ti fitojmë vetë ato 71 mandate, por mbi të gjitha një opozitë që nuk e bën kryeministrin mbret duke djegur mandatet e saj dhe zërin e popullit opozitar.