Sport30 Qershor 2022, 19:40

“Erdha në Itali si emigrant”, Asllani: Do përpiqem të jap gjithçka me Interin, nuk e kisha imagjinuar kurrë të isha këtu

Shkruar nga Pamfleti
“Erdha në Itali si emigrant”, Asllani: Do përpiqem të

“Erdha në Itali si emigrant”, Asllani: Do përpiqem të jap gjithçka me Interin, nuk e kisha imagjinuar kurrë të isha këtu

Kristjan Asllani është transferimi më i ri i Interit. Zikaltrit zyrtarizuan përfundimisht afrimin e mesfushorit të Kombëtares në radhët e tyre. Në një intervistë për “Inter TV”, talenti shqiptar u shpreh shumë i lumtur për këtë transferim.

Cilat janë emocionet që po përjetoni?

Është një emocion i mrekullueshëm. Jam 20-vjeç dhe të veshësh këtë fanelë është një emocion unik për mua. Mezi po pres fillimin e sezonit të ri dhe do të jap më të mirën.

Historia jote është interesante. Ti ke lindur në Shqipëri, por që i vogël lëvizët në Itali ku dhe u rritët. E ke imagjinuar se kjo gjë do të ndodhte një ditë?

Në fakt nuk do e imagjinoja kurrë. U largova nga Shqipëria kur isha vetëm 2 vjeç dhe mbërrita në Itali. E bëra të gjithë shkollën këtu, fillova të luaj futboll në Itali dhe kurrë s’do e imagjinoja këtë.

Ata që të kanë parë të rritesh kanë thënë se që fëmijë nuk je ndarë nga topi. Cilët lojtarë të kanë inspiruar? Si do e përshkruaje veten në fushë?

Unë nuk e di kush më ka inspiruar, por është e vërtetë që nuk e kam lëshuar kurrë topin. Kam parë aq shumë ndeshje sa mundesha, sepse doja të mësoja diçka nga të gjithë mesfushorët. Tani jam me fat që do të luaj me Brozoviçin, i cili është një mesfushor shumë i fortë.

Ti je ende i ri, por je rritur shpejt. Ke bërë debutimin në Serinë A këtë sezon, por ke dhënë disa paraqitje fantastike dhe Interi vendosi të vendosë një “bast” mbi ty. Cilat janë qëllimet e tua?

Unë akoma nuk i di cilat janë qëllimet e mia, unë thjesht mendoj në moment. Jam shumë i lumtur që kam debutuar kaq herët me Empolin, të cilës i detyrohem shumë. Tani jam këtu dhe do të përpiqem të jap më të mirën.

Le ta imagjinojmë se tani ndodhesh përpara tifozëve zikaltër, çfarë do t’i thoje atyre?

Unë jam gati dhe unë fansave i kërkojë vetëm të na mbështesin aq sa munden.

Sport Inter Kristjan Asllani mesfushori kuqezi