Aktualitet29 Nëntor 2022, 11:36

Erdogan përgatit një lojë të madhe politike në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

Erdogan përgatit një lojë të madhe politike në Tiranë

A e përfshin manovra e Erdoganit mbushjen e vakumit politik në Shqipëri, me një grupim të ngjashëm me AKP?

Zgjedhjet lokale të majit të ardhshëm në Shqipëri, pritet të koklaviten më tej edhe me telashin e madh të Erdoganit, i cili në qershor ka provën e fortë të rizgjedhjes si President i Turqisë.

Deri tani, çdo sondazh e ka projektuar ‘Sulltanin’ në pikiatë si rezultat i një rënie ekonomike dhe zhvlerësimit të monedhës turke, lira.

Opozita, ende nuk ka dalë me një kandidat, pasi po punon fort për një figurë që të marrë votat e njerëzve të varfër që kanë votuar vazhdimisht partinë e Erdoganit.

‘Sulltani’, nga ana tjetër ka dalë me një strategji si ajo e Edi Ramës pas tërmetit, ku ka premtuar se do të ndërtojë miliona shtëpi për ata që nuk kanë mundësi të blejnë një të tillë.

Turqit janë populli që vuan më shumë nga problemi i strehimit, pasi më shumë se 40%  e popullsisë jeton me qira. Ky plan, përforcon gjithnjë e më tepër të dhënat e një binjakëzimi politik mes AKP-së së Erdoganit dhe Partisë Socialiste të Edi Ramës.

I ndodhur në situatë të vështirë, ‘Sulltani’ pritet të japë një kolpo të fortë nga fillimi i vitit, për të treguar se ka ndikim të madh në popullsinë muslimane në Ballkan, për të tërhequr votat e nacionalistëve turq. Pasi siç mësohet, nacionalist do të jetë kandidati rival i Erdoganit, identikiti i të cilit rrotullohet rreth kryetarit të bashkisë së Ankarasë, Mansur Javash.

E, në këtë aspekt, kohët e fundit, i ashtuquajturi ‘xhemati i Ankarasë’ është mobilizuar fort, për një “lëvizje të madhe politike” që do të sjellë “reisi” siç i thonë përkrahësit e tij në Tiranë.

Dhe orientimet kanë nisur të shpërndahen menjëherë, e që duken se janë një dorë e fortë antiperëndimore në mjediset e besimtarëve. Një logjikë, që rrit edhe më shumë misterin se cila do të jetë loja elektorale e Erdoganit që do të luajë në Tiranë, kur në mes të fushatës së vet për tu rizgjedhur, e në mes fushatës së zgjedhjeve lokale në Shqipëri, ‘Sulltani’ do të inagurojë Xhaminë e Madhe të Namazgjasë. E financuar dhe e ndërtuar nga ai. Sulmet e forta që Sali Berisha dhe Ilir Meta i bënë Erdoganit, pas mbylljes së kolegjeve dhe kopshteve gyleniste në Tiranë, të çojnë te ideja se nuk janë ato njerëzit që kërkon të mbështesë Rexhep Taip Erdogan në Tiranë. Pasi në fund të fundit, Berisha dhe Meta janë ‘kuaj të lodhur e të ngordhur’.

E gjasat janë që të mbështesë PS-në dhe Edi Ramën, por duke i dhënë një goditje të rëndë qasjes perëndimore të Shqiptërisë…

Mbështetësit e tij, të cilët dalin në televizione shpesh për tu identifikuar, kanë kohë që po japin mesazhe të forta.

Justinian Topulli, një teolog, jurist dhe studiues mjaft i përgatitur, i cili edhe në debate është mjaft i sjellshëm e civil, ka shpërndarë një qëndrim, i cili flet shumë, duke ngritur me arsye hipoteza të reja politike.

Topulli, një pinjoll i familjes së famshme gjirokastrite nga kanë dalë emra si Çerçizi e Bajo, antikomunist i deklaruar, është shprehur se i takon së djathtës. Por për këtë aspekt të politikës, ai ka një ide krejt ndryshe.

“E djathta shqiptare duhet të ketë parasysh që nuk mund të ndjekë verbërisht tendencat e së djathtës perëndimore, sidomos ato islamofobe, dhe duhet të respektojë ndjeshmëritë emocionale që kanë myslimanët shqiptarë të këtyre trojeve, por edhe myslimanët e tjerë nëpër botë.

E djathta shqiptare duhet të respektojë në veçanti, edhe vlerat e traditat e shumicës fetare myslimane në këto troje dhe nuk duhet të kufizohet vetëm tek përmendja e tolerancës, e cila në shumë raste keqpërdoret qëllimisht, për ta diskriminuar politikisht, pikërisht këtë shumicë.

Nëse e djathta perëndimore mbështetet pikërisht tek vlerat dhe traditat fetare të Krishtërimit, e djathta shqiptare nuk mund të injorojë në mënyrë të paturpshme trashëgiminë Islame të shumicës së shqiptarëve, duke u mjaftuar me raste, vetëm me një retorikë të pasinqertë elektorale.

Toleranca fetare është virtyt i shumicës myslimane në këto troje, edhe për shkak se feja e tyre i mëson kështu, ndaj ata janë garantët kryesorë të saj, por kjo frymë dashamirësie e paqeje nuk duhet të kuptohet nga e djathta shqiptare, se myslimanët shqiptarë janë të gatshëm të pranojnë edhe agjendat dhe diskursin islamofob, që vjen nga e djathta perëndimore.”

Ky është një pjesë e mesazhit të Topullit, i cili vjen i elaboruar qartë, e troç, duke bërë thirrje për krijimin e një forcë politike apo ambjenti politik të djathtë, që të mos ketë si “far” kristiandemokratët dhe popullorët europiano- perëndimorë, por vlerat konservatore që kanë traditë të ndryshme.

Kush e njeh hartën politike, të paktën në PPE, e di se e vetmja anëtare e këtij grupimi politik, më i madhi në europë që nuk është “kristiandemokrate”, është AKP e Rexhep Tajip Erdogan. E cila është një parti konservatore, por me theks të qartë islamik.

E në këtë kontekst, a e përfshin manovra e Erdoganit mbushjen e vakumit politik në Shqipëri, me një grupim të ngjashëm me AKP?

Ja çfarë shkruan Topulli, i cili njihet edhe si një nga aktorët që është përplasur më fort me gylenistët-kundërshtarët e Erdoganit në Shqipëri.

Aktorët e huaj të djathtë ose të majtë në Perëndim janë sigurisht faktorë të rëndësishëm në marrjen e pushtetit në këtë vend, por ata nuk janë të vetmit dhe nuk përfaqësojnë në shumë raste, as zërin e as pritshmëritë e këtij populli. Një e djathtë që injoron dhe shpërfill në veçanti pjesën praktikante fetare islame, duke dashur të kënaqë faktorin e jashtëm islamofob (apo edhe të brendshëm), ta harrojë se do të marrë vota prej saj, qoftë edhe përmes interlokutorëve të rremë mes myslimanëve, që përfaqësojnë vetëm vetveten apo ndonjë kult në minorancë”.

Sinjali është mjaft i qartë, e që duket se nuk është i vetmi, por jemi në fillimin e një aksioni politik që pritet të rritet edhe më shumë me kalimin e muajve…/Pamfleti

Kryesore “Pamfleti” #Erdogan përgatit një lojë të madhe politike në Tiranë #Justinian Topulli