Sport 9 Tetor 2022, 22:14

“EURO 2024”/ UEFA zbardh kalendarin, Shqipëria e nis përballë Levës dhe kthehet në ‘Air Albania’, datat e ndeshjeve të kombëtares

Shkruar nga Pamfleti
“EURO 2024”/ UEFA zbardh kalendarin, Shqipëria e nis

“EURO 2024”/ UEFA zbardh kalendarin, Shqipëria e nis përballë Levës dhe kthehet në ‘Air Albania’, datat e ndeshjeve të kombëtares

UEFA ka hedhur sot në Frankfurt shortin e kualifikueseve të “EURO 2024”, ku skuadrat kanë njohur rrugëtimin e tyre drejt finaleve të turneut. 

Në këto eliminatore do të marrin pjesë 53 skuadra, ndërsa Gjermania si organizatore e UEFA EURO 2024, kualifikohet automatikisht, dhe për këtë arsye nuk merr pjesë ne short. Bazuar në vendimet e mëparshme të UEFA-s, Rusia është e përjashtuar nga shorti dhe nga këto eliminatore. 

53 skuadrat që morën pjesë në shortin e kualifikueseve, janë klasifikuar nëpër 6 vazo në bazë të renditjes së përgjithshme të Ligës së Kombeve 2022-2023, dhe u ndanë në dhjetë grupe kualifikuese, shtatë nga të cilat me pesë skuadra (nga Grupi A deri në Grupin G) dhe tre grupe me nga gjashtë skuadra (nga Grupi H deri në Grupin J). 

Kuqezinjtë përfunduan në Grupin E me 5 skuadra, së bashku me Poloninë, Çekinë, Ishujt Faroe dhe Moldavinë duke shmangur superfuqitë e kontinentit. 

Shqipëria do të nisë eliminatoret në transfertë me duelin ndaj Polonisë që do të luhet më 27 mars 2023. Kuqezinjtë rikthehen në aksion tre muaj më pas, teksa më 17 qershor do të presin në shtëpi Moldavinë dhe tre ditë më pas sfidojnë në transfertë Ishujt Faroe. 

Në shtator Shqipëria do të ketë dy përballje nga më të rëndësishmet ndaj dy rivalëve direkt për betejën e kualifikimit. Më 7 shtator, kombëtarja sfidon Republikën Çeke po në transfertë dhe më 10 shtator pret Poloninë në shtëpi. Më 12 tetor, përfaqësuesja shqiptare do të presë Republikën Çeke në një tjetër duel delikat, për të mbyllur eliminatoret në muajin nëntor me dy ndeshjet, Moldavi-Shqipëri (17 nëntor) dhe Shqipëri – Ishujt Faroe (20 nëntor). 

Ndërkaq, duke qenë se Shqipëria është shortuar në një grup me 5 skuadra do të ketë tetë ndeshje zyrtare dhe mund të shfrytëzojë kalendarin e UEFA-s ka për të zhvilluar të paktën dy ndeshje miqësore gjatë vitit të ardhshëm. 

Kalendari i Shqipërisë për eliminatoret e “EURO 2024” 

27/03/2023        Poloni – Shqipëri

17/06/2023        Shqipëri – Moldavi

20/06/2023        Ishujt Faroe – Shqipëri

07/09/2023        Republika Çeke – Shqipëri

10/09/2023        Shqipëri – Poloni

12/10/2023        Shqipëri – Republika Çeke

17/11/2023        Moldavi – Shqipëri

20/11/2023        Shqipëri – Ishujt Faroe

Sport "EURO 2024" kualifikueset Shqipëria UEFA