
Skuadra angleze e futbollit, Everton ka shkarkuar trajneri, Frank Lampard pas disfatës 2-0 të së shtunës nga West Hami, e cila i la ata në vendin e 19-të në Premier League dhe pa fitore në 10 ndeshje e fundit në të gjitha kompeticionet.
Shkarkimi i Lampard vjen pasi pronari i Evertonit, Farhad Moshiri, mori pjesë në ndeshjen e tij të parë që nga tetori 2021 dhe skuadra e tij humbi ndeshjen e tretë radhazi në ligë.
Ish-trajneri i Chelseat mbërriti në Goodison Park në janar 2022, dhe megjithëse e ndihmoi klubin të shmangte rënien sezonin e kaluar, ai largohet nga Everton me 15 pikë nga 20 ndeshje dhe tre fitore këtë sezon, rekordi më i keq i fitoreve në divizion. Everton është në vendin e 19-të në tabelë, me vetëm Southamptonin më poshtë se ta në tabelë.
Ndërkohë drejtuesit e klubit raportohet se janë në bisedime të avancuara me Marcelo Bielsa.
Trajneri 67-vjeçar argjentinas ndihmoi Leeds United të kthehej në Premier League në vitin 2020, por ai u shkarkua në shkurt 2022 pas 170 ndeshjeve për ecurinë e tyre të dobët sezonin e kaluar.
Kujtojmë se nëse Bielsa bie dakord me Everton, ai do të bëhet trajneri i tyre i dymbëdhjetë në shtatë vjet.