Aktualitet11 Gusht 2022, 17:01

· Shkupi

Shkruar nga Pamfleti
· Shkupi

Tetovë, 11 guht – Në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të prodhohen vetura elektrike e-go, pasi që Qeveria në seancën e sotme të 68-të siguroi kushte për investim miliona dollarëshe nga NEXT.E.GO MOBILE SE. Ahen, Gjermani me të cilin në ZHTI Tetovë do të hapen 3-4000 vende të reja pune.

Qeveria, siç informojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në seancën e sotme të 68-të e ka miratuar informacionin dhe ka marrë vendim për dhënien e pëlqimit të Marrëveshjes për dhënien e ndihmës shtetërore të lidhur në mes të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar dhe e prezantuar nga Drejtoria për Zonat zhvillimore teknologjike industriale dhe “NEXT.E.GO MOBILE”, transmeton Pamfleti.

“Kjo është për herë të parë në industrinë e automobilave në vendin tonë që do të prodhohet një automjet i plotë dhe sigurisht që për herë të parë do të prodhohen makina elektrike”, thuhet në njoftimin e shërbimit për shtyp të Qeverisë.

Përfitimet, thuhet në kumtesë, nga ky investim janë të shumëfishta – nga hapja e vendeve të reja të punës, eksporti i produkteve me vlerë të lartë të shtuar, transferimi i njohurive dhe teknologjive, hartëzimi i vendit nga investitorët e huaj në këtë fushë, deri te kontrata dhe punë shtesë për kompanitë vendase.

Ndryshe pronarët dhe menaxherët e kësaj kompanie janë familja Destani nga Tetova.

Nazif Destani, miliarderi shqiptar ( pronar i “Ecolog-International) ka promovuar veturën e parë elektrike evropiane “Next e GO Mobile” në maj të këtij viti  në Berlin. Vetura filloi prodhimin e saj vitin e kaluar.

“Next.e.GO Mobile SE” është një kompani Gjermane e prodhimit të makinave elektrike, e krijuar në vitin 2015 nga profesori i inxhinierisë Mekanike të Universitetit Aachen, Dr. Günther Schuh.

Në Shtator 2020, “ND Group” e investitorit shqiptar Nazif Destani bleu shumicën e aksioneve të “Next e.Go Mobile SE”.

Kompania me uzinën dhe qendrën e zhvillimit të vendosur në Aachen të Gjermanisë,  numëron rreth 450 të punësuar. Ajo prodhon makina elektrike, të cilat janë në dispozicion me çmime të favorshme dhe janë të përshtatshme për përdorimin në qytet.

Me marrjen e kontrollit, “ND Group” ka implementuar një strategji të re të zhvillimit të shpejtë, me qëllim që viti 2021 ta gjejë makinën E.GO në treg dhe të gatshme për përdoruesit.

E.Go Mobile do të prodhojë edhe autobusë elektrikë me bateri, me qëllim lehtësimin e fluksit të trafikut nëpër qytete dhe përmirësimin e shërbimit për pasagjerët.

Shkupi