Aktualitet22 Janar 2023, 14:32

Familja Durda kërkesë SPAK-ut: Fatmir Mediu të akuzohet për vrasje, jo për shpërdorim të detyrës

Shkruar nga Pamfleti
Familja Durda kërkesë SPAK-ut: Fatmir Mediu të akuzohet për

Familja Durda, nuk është aspak e kënaqur me akuzat që ka ngritur SPAK ndaj Fatmir Mediut sa i takon tragjedisë së Gërdecit. Prokuroria mbylli hetimet dhe akuzon Fatmir Mediun për shpërdorim detyre në dy raste, mirëpo për familjen që humbi djalin e saj të vogël në tragjedi.

Dosja ndaj Meidut u rihap falë padisë së Feruzan dhe Zamira Durda dhe SPAK pak ditë më parë i informoi ata për mbylljen e hetimeve. Mirëpo mësohet se nëpërmjet avokatit, ata ditën e premte kanë dorëzuar opinionet e tyre në SPAK. Ata kërkojnë që ish-ministri të mos akuzohet për “shpërdorim detyre”, por për ”vrasje në rrethana cilësuese” ose “vrasje me dashje të tërthortë”. Sipas tyre, ish-ministri i asaj kohe ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë në tragjedi, sepse me veprimet dhe mosveprimet e tij bëri që të vriten 26 persona, mes të cilëve dhe djali i tyre 7 vjeçar.

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 tjerëve, plagosja e lehtë e 109 personave të tjerë, dëmtime më të lehta për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave të tjerë që u trajtuan në spitale e qendra shëndetësore. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerë rreth 2.2 miliardë lek, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.

Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Sa i takon Mediut, ishte Gjykata e Lartë e cila përmes një vendimi në dhjetor 2021 rrëzoi rekursin e tij për të mos u hetuar dhe lejoi SPAK të niste punën. Më parë kishte qenë Apeli i GJKKO, i cili më 24 shtator 2021 mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda. 14 vite pas tragjedisë, familjeve të viktima iu është rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre. Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.

Kryesore Gërdeci mediu durda