Operacioni Forca e Ligjit e rrëmbyer nga suksesi imagjinar në luftën ndaj krimit të organizuar, dy ditë më parë i ka çuar formularin për justifikimin e pasurisë familjes së të dënuarit Ledio Çyçllari, banues në Korçë, i akuzuar për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.
Aktualisht Ledio është duke vuajtur dënimin me 14 vjet heqje lirie në burgun e Zaharisë dhe prindërit e tij thonë se i biri nuk është dënuar për vrasje por për plagosje, pas një sherri banal që ka ndodhur në një lokal në fshatin e tij.
“Ne vetëm me një lopë vërtitemi. Shesim qumështin që t’i çojmë ndonjë lek për bukë në burg”, thotë nëna e të dënuarit. Ndërkohë OFL urdhëron që brenda 48 orëve, familja e Çyçllarit duhet të justifikojë burimin e pasurisë për një pasuri që nuk ekziston.
Kjo është një gafë nga ana e OFL, sepse dosja boshe do t’i kalojë më pas SPAK-ut, a thua sikur problemi i vetëm në Shqipëri është hetimi dhe identifikimi i pasurisë së Ledio Çyçllarit. SPAK duhet të merret me gjëra më të mëdha se kaq, e jo me të ngratin Çyçllari. Gjithsesi nëse familja nuk arrin të justifikojë burimin e të ardhurave për blerjen e lopës, ajo mund t’i sekuestrohet me pretendimin se është blerë nga aktiviteti kriminal i Ledios.