Aktualitet25 Shkurt 2022, 12:35

Fatmir Mediu është shpallur ‘non grata’ nga SHBA?! Takim me kongresmenë jashtë tokës amerikane

Shkruar nga Pamfleti
Fatmir Mediu është shpallur ‘non grata’ nga SHBA?! Takim

Fatmir Mediu është shpallur 'non grata' nga SHBA?! Takim me kongresmenë jashtë tokës amerikane

Fatmir Mediu i Gërdecit duket se i është bashkuar grupit të non gratave me në krye Sali Berishën, Ilir Metën, Tom Doshin, Vangjush Dakon dhe Adriatik Llallën, të cilët u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Ndërsa mbetet mister dora që ka bllokuar urdhrin e SPAK për ta arrestuar Fatmir Mediun për Gërdecin, ka dyshime se ish-ministri i Berishës është ndëshkuar nga SHBA, ashtu siç u ndëshkua shefi i tij në 19 maj 2021.

Po cilat janë shenjat që sinjalizojnë kualifikimin e Fatmir Mediut në listën e zezë? Ish-ministri i Gërdecit ka disa vite që nuk ekspozon asnjë vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më parë, Mediu merrte rregullisht pjesë në ‘Mëngjesin e Lutjeve’, duke u shtirur si krishterë, pas ndryshimit të mbiemrit nga Medihoxha, në Mediu.

Prej 4 vitesh, Mediu nuk merr më pjesë në ‘Mëngjesin e Lutjeve’. Meqenëse nuk shkel dot në SHBA, në shkurt të vitit 2021, Mediu mori pjesë në  ‘Mëngjesin e Lutjeve’ në mënyrë virtuale nga Tirana, nën justifikimin e pandemisë. Nga ana tjetër, në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit të datës 19 maj 2021, për shpalljen non grata të Berishës, thuhet se Sali Berisha ka mbrojtur veten, familjen e tij dhe aleatët e korruptuar nga veprimi i drejtësisë. Përveç Ilir Metës, një nga aleatët, të cilin Berisha e ka shpëtuar nga veprimi i drejtësisë, është edhe Fatmir Mediu. Berisha e shpëtoi Mediun në shtator 2019 nga dënimi për korrupsionin në Gërdec, me pasoja 27 qytetarë të vdekur.

Meqenëse ishte implikuar vetë bashkë me të birin në Gërdec, Berisha e shpëtoi Mediun nga hapja e dosjes nga viti 2009 deri në vitin 2021, kur SPAK vendosi ta merrte të pandehur.

Pas shumë vitesh, Fatmir Mediu ka zhvilluar sot një takim me kongresmenë amerikanë. Takimin formal sa për të bërë një fotografi e ka zhvilluar në Vjenë. Mediu thotë se ka biseduar për Ukrainën, por në fakt halli i tij është t’i shpëtojë arrestimit nga SPAK-u për Gërdecin, pas vendimit të Gjykatës së Lartë pro hapjes së dosjes. Duke bërë një foto me kongresmenë amerikanë, Mediu shpreson se mund të ndikojë për t’i shpëtuar arrestimit apo të paktën për ta shtyrë në kohë./Pamfleti

Kryesore # 'non grata' nga SHBA #Takim me kongresmenë jashtë tokës amerikane Fatmir Mediu