Editorial22 Shtator 2022, 10:29

Fatmir Mediu iu prin “Peshqve të mëdhenj”

Shkruar nga Pamfleti
Fatmir Mediu iu prin “Peshqve të mëdhenj”

Fatmir Mediu iu prin “Peshqve të mëdhenj”

Kur ambasadorja Yuri Kim urdhëron të mblidhen rrjetat  

Shkruan Sokol Pepushaj

Peshqit e mëdhenj do të kapen para dimrit. SPAK-u ka marrë urdhër nga Amerika të mbledhë rrjetat, jo si deri sot që është zënë ndonjë peshk i plagosur ose nga media, ose nga konjukturat.

Për konjuktura flitet gjithandej?

Andej lart nga Olimpi, të fortët vendosin rregulla për të dobëtit. Prandaj të shtypurit kapin çdo detaj. Kur flasin liderët tanë, njerëzia u nxjerr gjuhën, kur ambasadorja amerikane porositë: “Refuzoni përpjekjet për të minuar demokracinë”, secili bëhet sy e veshë, siç thotë populli.

Yuri Kim, e dëgjuam apo jo, foli këto ditë për minat. Nuk tha se janë jashtë kohe, por se nuk do lejohet minimi i demokracisë.

Ata që gjuajnë nganjëherë peshk me dinamit në ndonjë lumë fshati, as e njohin, as duan t’ja dijnë  kush ishte shpikësi i dinamitit. Po t’i pyesësh për një farë inxhinieri suedez me emrin Alfred Nobël, të ngjan se je ti i mangët. E kanë mendjen tek peshku. Njohin e respektojnë ambasadoren Yuri Kim, njohin dhe urrejnë çdo hajdut. Kaq.

S’duan asgjë tjeter veç “Peshk”.

Të varfër po, të vjedhur po, pa të sotme po, i kanë sytë nga ç’po bën SPAK-u, po kap “Peshq” apo shtiret?

Fatmir Mediu për shëmbull, është Peshk i madh rrjete, jo dinamiti.

Ky nuk shkon vetëm, ka tufë të madhe pas. I ngjan Lali Erit, Arben Ahmetajt, Klodian Zotos, Ilir Beqajt, Shkëlzen Berishës, Arben Imamit etj., etj.

Fatmiri që po i tërhiqet rrjeta, ka pasuri aq shumë, sa t’u blejë të dashurave banesa në Amerikë. Askush deri sot nuk ka guxuar ta ngucë Fatmirin  përveç gazetës ‘New York Times’,  më 26. 3. 2008.

Shënohej si peshk dinamiti, o e gjuan o nuk e gjuan Rama.

Andaj foli për minat Yuri Kim si duket. Si “Peshk” i madh, Fatmiri që s’ka më fat ta shpëtojë, ka bërë përpëlitje edhe për kompromentim faktesh, se jo për gjë, por deri në katër milion dollarë, do ishin një “thërrime” për të zbutur paksa shkrimin e New York Times.

Nga hera e parë, që u pyet për 300 milion dollarët e tregtisë së fishekëve të skaduar kinezë në Afganistan, e deri herën e fundit që SPAK-asit, nga presioni amerikan i kërkuan shpjegim për aferën korruptive të privatizimit të ish kompleksit “Partizani”,  ecën krah për krah e dorë për dorë me Shkëlzen Berishën dhe kunatin e tij Jamarbër Malltezi.

Toka tek ish kompleksi “Partizani”, 10 000 metër katrorë në mes të Tiranës, është vlerësuar 4000 herë më lirë se vlera reale.

Ne që e shohim me pranga Fatmir Mediun, përpiqemi të bashkojmë interesat e gjithë politikës e pushtetit në një pikë.

Këtu rri falsiteti e frika.

Ju e shihni, si Babloku, Saliu, Iliri, deputetët e zyrtarët, jo veç po heshtin për Fatmirin, por edhe po e rrethojnë me përkujdesje dhe shqetësim.

Kur pritej të dilte me pranga nga SPAK-u, i hapet dera në Komisionin e Ligjeve. Është i rreptë në diskutime. Shtiret se i dhëmb shpirti për ish të përndjekurit e ish pronarët, pas 32 viteve që u ka thithur djersën e gjakun, duke i shtypur e vjedhur.

Qëllimisht, të gjitha palët politike, i krijojnë hapësira të bjerë në sy si figurë, si ligjbërës, t’i bëjë presion drejtësisë dhe ambasadores Yuri Kim që të tërhiqet nga mbledhja e rrjetave të peshqve.

Këta janë, ta hajë kush ta hajë, por jo një si Fatmiri.

Deri sot kanë ndodhë mrekullitë. Perëndimi u ka kërkuar hajdutëve të arrestojnë e dënojnë hajdutët  e ata kanë hequr ndonjë sardele nga peshqit e tyre, sa për të thënë se diçka po bëhet.

E kështu, të tërë kanë dakordësi, kush ta hajë, le ta hajë, për të shpëtuar hajdutët e mëdhenj.

Që nga kodikët romakë e deri tek Kanuni mesjetar i feudalit Lekë Dukagjini, që ka qenë më i drejtë se Kushtetuta jonë, drejtësia nuk është dhunuar më shumë se shekullin e fundit.

Ka afro 80 vjet që në vënd të elitës, kemi në drejtim pasanikë të nivelit të Fatmir Mediut ose pak më poshtë e pak më lart, drejtësi tërhiq e mos këput, ose këput ndonjë degë që ka pak kokrra.

Duke i aktivizuar fort politikisht Fatmir Mediun, Sali Berishën dhe Ilir Metën, hajdutët rreken të  krijojnë imazhin se këta janë heronjtë e së ardhmes, se këta janë opozita.

Skuadra e propagandës, përmes mediave, rreket të zbulojë se shteti dhe pushteti vërtetë janë të kapur nga hajdutët, por kësaj here do ndahen detyrat seriozisht.

Pas një historie historike mashtrimi, pritet bilbili i finales së madhe nga SPAK-u i spanuar prej presionit amerikan, ku banderola shfaq germat e mëdha; Vini re, vini re,  po prin për burg Fatmir Mediu, pas tij gjithë të tjerët! Yuri Kim urdhëron të mblidhen rrjetat e “Peshqve”./Pamfleti

Editorial #Fatmir Mediu iu prin “Peshqve të mëdhenj”