Aksidentohet me biçikletë Fernando Alonso. Spanjolli i skuderisë Renault, mësohet se është goditur nga një makinë, ndërsa ai po udhëtonte me biçikletë në rrugët zvicerane afër Lugano. Piloti i Formula 1 menjëherë është dërguar në një spital të zonës, ku ekzaminimet e para radiografike, kanë treguar fraktura të mundshme.
Në këto ditë Fernando ishte duke u stërvitur në Zvicër me biçikletën e tij të dashur, një nga hobet më të preferuara të kampionit asturian. Ai po përgatitej të kthehej në Formula 1 pas largimit më 2018.
Karriera e tij ka nisur me Minardi në 2001, ndërkohë që Alonso ka garuar në 312 Grand Prix, ku ka arritur 32 fitore me makinat Renault, McLaren dhe Ferrari. Piloti 39-vjeçar, dy herë kampion bote në F1 me Renault në 2005 dhe 2006, mund të rrezikojë të humbasë fillimin e sezonit 2021.