Aktualitet14 Qershor 2022, 20:34

Festivali "Sunny Hill” në Tiranë, Shqipëria gëzohet, Kosova vajton

Shkruar nga Pamfleti
Festivali "Sunny Hill” në Tiranë, Shqipëria

Krerët shqiptar janë shprehur të ekzaltuar që festivali “Sunny Hill”, që organizohet nga këngëtarja e njohur Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, do të zhvendoset nga Prishtina, në Tiranë.

Nga Kosova, kryetari i Prishtinës është deklaruar i thyer nga ky vendim dhe ka fajësuar qeverinë e Kosovës se zvarriti procesin e ligjshmërisë për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin.

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur këtë një lajm të mirë. Rama ka nisur postimin e tij: “S’ka si Tirona jo”.  Ai ka thënë se  në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit të Shqipërisë.

“LAJM I MIRË. Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre”, ka shkruar ai.

Po ashtu dhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, tanimë e ka konfirmuar mbajtjen e festivalit “Sunny Hill” në kryeqytetin shqiptar.

“Data e njëjtë, përvojat e bukura të njëjta, lokacion i ndryshëm”, ka shkruar ai në njoftimin e Sunny Hill që e ka shpërndarë në rrjetin social Instagram.

Kryetari i Prishtinës ka qenë i pari që ka reaguar nga Kosova pasi festivali Sunny Hill nuk do të mbahet në Prishtinë.

Rama përmes llogarisë së tij në Facebook ka fajësuar qeverinë e Kosovës se vendimi për anulimin e këtij festivali në kryeqytet. Madje, ai tha se kjo do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”, ka shkruar Rama në Facebook.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se qeveria e Kosovës, “i dha goditjen më të rëndë të mundshme jetës kulturore në Prishtinë e Kosovë”.

“Detyrimi për largim i festivalit “Sunny Hill”, ngjarjes që vendoste Kosovën në hartën kulturore botërore, është skandal i pariparueshëm për vendin tonë”, shkruan Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook./Pamfleti.net

Aktualitet