Aktualitet17 Qershor 2022, 12:36

Fillon puna për reformën zgjedhore, hidhet ideja e sistemit me lista të hapura; Berisha-Meta nisin stërkëmbëshat

Shkruar nga Pamfleti
Fillon puna për reformën zgjedhore, hidhet ideja e sistemit me lista

Mazhoranca dhe opozita kanë nisur punën për reformën zgjedhore. Ditën e  sotme u konstituua komisioni i posaçëm, ku u hodhën idetë se si duhet të vijojë puna.

Grupi parlamentar socialist dhe ai demokrat duket se ishin në të njëjtin emërues, pasi bashkëkrytetarët Enkelejd Aliebaj dhe Damian Gjiknuri ranë dakord që të ketë mbështetje nga organizatat e huaja dhe të thirren 6 ekspertë.

Duhet të gjejmë pika të përbashkëta kompromisi për rekomandimet e ODIHR. Ne nuk kemi mundur t’i adresojmë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kemi disa rekomandime të reja që vijnë nga zgjedhjet e 2021. Palët mund të diskutojnë dhe për çështje të tjera që mund të dalin. Do bëjmë maksimumin për të gjetur konsensusin. Janë disa vendime për të marrë sot që unë i propozoj. Do kërkojmë ekspertizën e OSBE/ODIHR”, tha Gjiknuri.

Bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, Enkelejd Alibeaj tha se të gjitha organizmat ndërkombëtare do të jenë të ftuara të marrin pjesë me ekspertizën e tyre në ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

Kam kërkuar që përveçse dërgimit të një kërkese zyrtare OSBE-së, do tia dërgojmë të njëjtën kërkesë edhe Këshillit të Europës, Komisionit të Venecias, përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së që kanë të drejtën të sjellin përfaqësuesit e tyre dhe të marrin pjesë me ekspertizë. Edhe organizata vendase me traditë në ndjekjen e procedurave zgjedhore që kanë përvojë, janë të ftuar që të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit të reformës zgjedhore”, u shpreh Alibeaj.

Ndërkohë sot në komision pati një propozim konkret. Kreu i PR, Fatmir Mediu, deklaroi se ka ardhur koha për lista të hapura që palët të provojnë veten.

Sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura i jep mundësinë çdo subjekti të konkurrojë bazuar në atë që ka dhe as në marrëveshje dhe asnjë shpërfillje të interesave politike të grupeve të caktuara”, tha Mediu.

Por ajo që u vu re është se njerëzit e Sali Berishës dhe të Ilir Metës në komision kanë nisur stërkëmbëshat. Teksa mes PD dhe PS duket se kishin një unitet, Oerd Bylykbashi nuk i kurseu akuzat.

Nëse numërohet pavarësisht si votohet, ky komision është kot. Në 2002 është vendosur të bëhet me konsensus ndryshimi i kodit zgjedhor. Në 2013 rrotacioni ishte i qetë. Pas 10 vjetësh nuk kemi arritur ta bëjmë këtë. Për fat të keq edhe detyra e Këshillit Politik arriti një marrëveshje, edhe një tekst Kodi Zgjedhor për të votuar me konsensus. Por para nesh tani kemi ndryshimet e 5 tetorit që u miratua në mënyrë të njëanshme. Ajo që arrihet në dakordësi për politikën reale, ajo qëndron. Ndryshe ne tallemi me opinionin publik dhe votuesit”, tha ai.

Më tej ai u shpreh se kjo reformë zgjedhore nuk mund të jetë pazar. “Nuk mund të jetë si fundi i 2020, ku një pazar jo thjesht ndryshoi kodin zgjedhor, por shkatërroi një sistem zgjedhor. Rregullat e lojës në parim nuk ndërrohen në mënyrë të njëanshme. Ne sot duhet të punojmë bashkë për të vënë rregulla loje për qindra mijëra zgjedhës që janë atje. Përndryshe reformat bëhen për të zgjidhur probleme. Nëse krijon krizë politike, është më mirë të mos nisë”, tha deputeti i foltores.

Në një linjë me të ishte edhe Petrit Vasili i LSI. Ai tha se duhet të bëhet kujdes të mos bëhet të njëjtat gabime, ndërsa foli dhe për teatër politik.

Pikësynimi i vetëm që duhet të kemi është në radhë të parë që kjo reformë të mos jetë tualeti i radhës politik që bëjmë. Insistoj ta them këtë gjë sepse e shkuara që lamë pas, e afërt na tregoi që dhe kur kemi adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR, disa prej tyre dhe të plota zbatimi i tyre dhe efekti i tyre në pritshmëritë për një efekt pozitiv kanë qenë për fat të keq zero dhe në disa raste të tjera ka qenë më keq se ç’ishte më përpara”, tha ai.

Frika e LSI dhe foltores është se PD dhe PS fusin një sistem të ri politik, që do e nxirrte jashtë loje dyshen Meta-Berisha.

Kryesore komisioni Reforma

Aktualitet