Po a ka gjasa që të arrijë vetëm ky grupim të bëjë qeveri në parlamentin e Malit të Zi me 81 deputetë. Praktikisht është e pamundur, por qëllimi i kësaj trazire që ka ndodhur sot është diku tjetër.
Lidershipi prorus i mazhorancës qeverisëse në Mal të Zi, ka bërë gati një plan për të larguar kryeministrin aktual të vendit, Zdravko Krivokapiç dhe Zv.kryeministrin Dritan Abazoviç.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp “Demokratski Front” e Andria Mandiç, Miodrag Davidoviç(Daka) dhe Miodrag Lekiçit, kanë bërë të ditur se deri më 10 dhjetor duhet që mazhoranca qeverisëse e tre koalicioneve që fituan në vitin e shkuar të zgjedhin një kabinet të ri, ku të përfshijnë “përfaqësues autentikë të pakicave etnike” dhe të vendosin në program regjistrimin e ri të popullsisë, si dhe ligjin për Kishën ortodokse serbe.
“Demokratski Front” ka nisur menjëherë përpjekjet për të joshur deputetët e pakicave shqiptare e boshnjake, si dhe për të çarë koalicionin e Dritan Abazoviçit, “E Bardha në të Zezë”.
Siç thekson ‘Sputnik’, një përfaqësuesi tjetër të këtij koalicioni, mësohet se i është ofruar edhe posti i kryeministrit të vendit.
“Fronti Demokratik është i gatshëm të heqë dorë nga posti i kryeministrit për shkak të marrëveshjes që i takon sipas rezultatit zgjedhor, e gjithë kjo me synimin për një marrëveshje që kjo qeveri të fillojë përfundimisht të merret me krimin e organizuar dhe korrupsionin, gjë që qeveria aktuale nuk e bën dot.
DF u sugjeron kolegëve që përfaqësuesit autentikë të pakicave të përfshihen në Qeverinë e re në poste përgjegjëse. DF insiston që negociatat të zhvillohen shpejt dhe me efikasitet, pa asnjë kusht nga ana e askujt dhe që ato të përfundojnë deri më 10 dhjetor”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Koalicioni i partive filoserbe dhe filoruse kanë akuzuar qeverinë e dyshes Krivokapiç-Abazoviç se nuk kanë çmontuar regjimin e Gjukanoviçit, “administrata nuk është pastruar nga kuadrot kryesore të DPS-së, nuk është bërë asnjë devijim i qartë nga modeli katastrofik ekonomik neoliberal, nuk është nisur asnjë fushatë e mprehtë dhe pa kompromis për të ndaluar trafiqet, janë humbur 30 mijë vende pune etj”.
Po a ka gjasa që të arrijë vetëm ky grupim të bëjë qeveri në parlamentin e Malit të Zi me 81 deputetë.
Praktikisht është e pamundur, por qëllimi i kësaj trazire që ka ndodhur sot është diku tjetër.
Synimi është që të tërhiqet koalicioni prorus nga qeveria, përpara se të realizohet ajo që flitet prej kohësh një kabinet properëndimor nën drejtimin e Dritan Abazoviçit, dhe mbështetje të jashtme të grupit parlamentar të DPS-së së Milo Gjukanoviçit.
Koalicioni filorus, Demokratski Front, duket se e ka nuhatur këtë dhe po e bën fakt të kryer, duke i lënë kështu barrën e “tradhtarit” Abazoviçit dhe të rigrumbullojnë sërisht forcat opozitare për zgjedhjet presidenciale të vitit 2023, ku pritet të kandidojë “Daka”, Miodrag Davidoviçit, një miliarder që është pasuruar me kontrabandën e hekurit që shkrihej në kombinatin e Nikshiqit, të cilën e ka drejtuar në kulmin e Luftës së ish-Jugosllavisë. Gjatë luftës ai shërbeu edhe si i ashtuquajtur ish-ministër i “Krahinës Autonome të Hercegovinës”, si bashkëpunëtor i Radovan Karaxhiçit e Sllobodan Milosheviçit./Pamfleti