Bota26 Shtator 2022, 13:46

Fitorja e Giorgia Melonit tremb Europën, pllakos heshtja në Bruksel

Shkruar nga Pamfleti
Fitorja e Giorgia Melonit tremb Europën, pllakos heshtja në Bruksel

Fitorja edhe pse e paralajmëruar e Melonit ka shtuar ankthin në union i cili tashmë do të duhet të përballet me një tjetër Orban. Frika më e madhe është qasja e butë që e djathta ka ndaj liderit rus Putin ndërkohë që lufta është jo shumë larg BE.

Në BE ka pllakosur heshtja dhe zyrtarët më të lartë  janë tronditur nga rezultati “sizmik” i zgjedhjeve të 25 shtatorit të Italisë, që ka sjellë në qeveri shumicën e ekstremit të djathtë që nga koha e Benito Musolinit.

Ndërsa krahu i djathtë i Evropës po brohorit fitoren e parashikuar të Giorgia Melonit në zgjedhjet e Italisë, të gjithë të tjerët po shohin me ankth se çfarë do të ndodhë më pas.

Meloni do të udhëheqë qeverinë më të djathtë të Italisë që nga koha e Benito Musolinit, pasi koalicioni i udhëhequr nga partia e saj “Vëllezërit e Italisë” fitoi rreth 44 për qind të votave të dielën.

Kryeministrja franceze Elisabeth Borne nuk pranoi të komentonte drejtpërdrejt, por nënvizoi rëndësinë e respektimit të vlerave demokratike nga qeveritë evropiane, teksa pashikimet thonë se mund të përkeqësohet situata me  lidershipin e ri në Romë.

Duke folur në mediat franceze, Borne tha: “Ajo që thotë presidentja e  Komisionit (Von der Leyn) është se në Evropë, ne kemi një numër të caktuar vlerash dhe se, padyshim, do të jemi të vëmendshëm ndaj faktit që këto vlera për të drejtat e njeriut , për respektimin e të tjerëve, veçanërisht respektimin e të drejtës për abort, respektohen nga të gjithë.”

Ajo shtoi se Von der Leyen ishte “në të drejtën e saj” për të kujtuar se “në Evropë, ne kemi vlera.

“Çdo shtet duhet të jetë në përputhje me këto vlera, për shtetin e së drejtës, për të drejtat e njeriut, për respektimin e të drejtës për abort.”, tha ajo.

Vërejtjet vijnë pasi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen paralajmëroi kundër kthesës së mundshme djathtas të Italisë javën e kaluar, duke thënë se BE-ja do të ishte gati të punonte me qeveritë demokratike dhe kishte mjete që mund t’i përdorte nëse “gjërat shkojnë në një drejtim të vështirë” si  në Hungari dhe Poloni.

Kjo ishte një referencë e qartë për aftësinë e Komisionit për të shkurtuar fondet e alokuara për qeveritë e BE-së kur ato konsiderohen se shkelin parimet e sundimit të ligjit.

Të hënën, Eric Mamer, zëdhënësi kryesor i Komisionit, tha se ai “asnjëherë nuk komenton rezultatet e zgjedhjeve kombëtare”, teksa shtoi se “shpresojmë se do të kemi një bashkëpunim konstruktiv me autoritetet e reja italiane”.

Ndërsa nga mbështetësit e Melonit, e para që ka reaguar ka qenë Marine le Pen, udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë në Francë. Ajo ka vlerësuar Melonin për rezistencën ndaj kërcënimeve të Bashkimit Evropian.

Le Pen ka shkruar në Twitter se populli italian vendosi të marrë në dorë fatin e tij duke zgjedhur një qeveri patriotike dhe sovraniste dhe luftuar kundër qeverive antidemokratike dhe arrogante të Brukselit.

Edhe nga Hungaria e drejtuar nga Viktor Orban  nuk ka vonuar të urojë Melonin.

Ka qenë drejtori politik i kryeministrit hungarez që ka uruar partitë e krahut të djathtë të Italisë për fitoren. Ai është shprehur se ata dhe miqtë e tyre italian ndajnë një vizion dhe qasje të përbashkët ndaj sfidave të Evropës.

Edhe ekstremi i djathtë në Spanjë i Santiago Abascal, ka shkruar se tashmë miliona evropianë i kanë shpresat e tyre të mbështetura te Italia.

Fitorja edhe pse e paralajmëruar e Melonit ka shtuar ankthin në union i cili tashmë do të duhet të përballet me një tjetër Orban. Frika më e madhe është qasja e butë që e djathta ka ndaj liderit rus Putin ndërkohë që lufta është jo shumë larg BE./ Pamfleti

Bota Hesht BE-ja zgjedhjet në Itali