Ekonomi11 Tetor 2022, 16:08

FMN paralajmëron: Më e keqja nuk ka ardhur akoma, viti 2023 do jetë i vështirë për shumë njerëz

Shkruar nga Pamfleti

“Më e keqja nuk ka ardhur ende”. Ky është paralajmërimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar sa i takon situatës ekonomike botërore. Pas luftës në Ukrainë, bota është mbërthyer nga inflacioni dhe kriza energjitike, por sipas FMN një situatë akoma dhe më e keqe e pret globin.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se rritja ekonomike globale do të ngadalësohet në 2.7% vitin e ardhshëm, 0.2 % më e ulët se parashikimi i korrikut dhe parashikon që viti 2023 të ndihet si një recesion për miliona në mbarë botën.

Përveç krizës globale financiare dhe kulmit të pandemisë Covid-19, ky është profili më i dobët i rritjes që nga viti 2001″, tha FMN.

Vlerësimi i PBB-së së tij për këtë vit mbeti i qëndrueshëm në 3.2%, që ishte në rënie nga 6% që ishte parë në 2021.

Më e keqja nuk ka ardhur ende dhe për shumë njerëz 2023 do të ndihet si një recesion”, thuhet në raport, duke i bërë jehonë paralajmërimeve nga Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe shumë CEO global.

Më shumë se një e treta e ekonomisë globale do të shohë dy tremujorë radhazi të rritjes negative, ndërsa tre ekonomitë më të mëdha, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kina, do të vazhdojnë të ngadalësohen, thuhet në raport.

FMN ndalet dhe te Shqipëria.  Sipas “Pasqyrës Ekonomike Globale”, Shqipëria pritej që të zgjerohej me 2.5% gjatë vitit 2023, nga 2.8% që ishte pritshmëria në raportin e prillit. Në raport përmendet që ky vlerësim është bërë përpara vizitës së misionit. Ky i fundit, që përfundoi të hënën vizitën në Shqipëri ka rishikuar sërish në ulje pritshmërinë për performancën e ekonomisë, duke e zbritur në rreth 2%.

Misioni ka ulur dhe pritshmërinë për rritjen e këtij viti, në 3.7%, nga 4% që është në raportin e pasqyrës globale, si rrjedhojë e ecurisë së dobët në tremujorin e dytë të vitit.

Pas një rritje të lartë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ka mbajtur një ritëm pozitiv këtë vit, pavarësisht goditjes që ekonomia globale ka marrë nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ne parashikojmë që rritja ekonomike për vitin 2022 të jetë 3,7 për qind, mbështetur nga një aktivitet i lartë në turizëm, në pasuritë e paluajtshme dhe tek shërbimet. Rritja parashikohet të ngadalësohet në rreth 2 për qind në vitin 2023, duke pasqyruar kushte financiare më të shtrënguara, ngadalësimin në Europë, dhe tërheqjen e nevojshme të politikave mbështetëse”, thuhej në deklaratën e FMN-së.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Ekonomi FMN Kriza