Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ka dalë sot në një konferencë mbi ecurinë ekonomike për periudhën, Janar – Prill 2022.
Ibrahimaj tha se bazuar në të dhënat e deri tanishme, FMN ka rishikuar parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë, nga 2% që ishte parashikimi i raundit të mëparshëm në 3% për vitin 2022. Gjithashtu shtoi se të dhënat tregojnë përmirësim të tregut të punës.
“Kemi analizuar ecurinë e treguesve kryesorë ekonomikë për katër mujorin e parë të vitit, ku është karakterizuar nga norma të shtuara të inflacionit, ecuri të kënaqshme e treguesve të import e eksportit, ka përmirësim në treguesit të tregut të punës, ka pasur ecuri të mirë të aktivitetit të bizneseve, e norma të stabilizuara të kursit të këmbimit.
Janë analizuar me kujdes javën e kaluar në prezencë të Fondit Monetar Ndërkombëtar ku në përfundim të vizitës ka arritur në rezultatin e rishikimit të parashikimit për rritjen për ekonominë shqiptare në nivelin 3% nga 2% që ishte parashikimi i raundit të mëparshëm.
Ministria e Financave qëndron në të njëjtën linjë parashikimi, për vitin 2022 kemi parashikuar rritje prej 3.2% bazuar në treguesit e deritanishëm”, tha ministrja.