Aktualitet15 Korrik 2022, 18:53

Folën ministrat Babo, si profetët në tempull, si misionarë, si evlatër perëndie

Shkruar nga Pamfleti
Folën ministrat Babo, si profetët në tempull, si misionarë,

Folën ministrat Babo si profetët në tempull, si misionarë, si evlatër perëndie. Nja tre fjalime ishin nga ato që të ndryshojnë jetën, qe të kompleksojnë kulturën e sjelljen. U pendova si dreqi që nuk kërkova të na i rilexonin edhe një herë, më ngadalë, më me Patos, më ëmbël që të këndelleshim në kënaqësi të goditur nga e bukura, nga e mira, nga e duhura , nga paternalizmi i epërm. Të gëzohej salla.

Shkruan Agron Gjekmarkaj

Babo dje u nguta dhe e shkrova kroniken në mesditë. Gaboj edhe unë, nxitohem nga qejfi i rrëfimit. Mu duk se boll ngjarje ishin konsumuar me mungesën tënde e mjaftueshëm pa ty si protagonist, edhe tepër.

Historia pa ty nuk duhet të rëndë si i marri. Në këtë vapë ka nevojë të pushojë nën hije dhe ta kuptojë që i mungon ” përpjetëm mobile”. Po këta të tutë more Babo gëzohen kur nuk je ti teksa unë mendoja se mërziten nga kureshtitë, nga pyetjet , çka Babo, pse nuk erdhi , a ka fjetur mirë, a e kanë bezdisur rrezet e vesa në këtë sabah, a i kruhet mjekra i dhëmbin kyçet?

Por jo more hiç! Ndihen si kecat në lendinë pa çoban e zot ! Lodrojnë qerratenjtë, hedhin vickla, yshkla, llafosen gjatë, e rimarrin fjalën, replikojnë! Ju pëlqen vetja, ndihen sikur jetojnë historinë. Ore do ti që duket gomari pasha aty. Kali i Kaligules ngjan me një profan i pa zotnillek.I shkreti Ulsi boll i shikonte me domethënie për t’ju vënë në dukje teprinë duke thirrur sabër- sabër he ju plaçin sytë, por ato nuk ndalnin. Lere, Bela iku shpejt dhe ai ra përsëri në zvetënim. Edhe Nikua hundë e buze qe po ai noterizonte nopranllwkun e Tezes që boten sheh nga lart. Hallë Ikonomi sa nuk i bëri haram. Më i mençuri ishte Çuçi ndenji pak e si me lezet u përvodh e u bë erë. Edhe Manastirliu ka ca kohë që si pa gjumë të mirë shfaqet. Se mos e ke qortuar Babo se të vret Zoti. Një fjalë e jotja e bën gjumin def e qetësinë stuhi e kthen.

Mundohej Elisa ta mblidhte grigjën, vërtit dorën , vërtit llafin po hiç flisnin ata me hyxhym e zyrna. Tigrushi ndonëse e kishin munduar fantazmat natën që e thërrisnin Tigruuuuuuush Tigruuuuuush o zullumqar mos i sill zavalle Babos me proçkat e inceneratorve se të bën gjëmën, ishte veshur me ëndje qafiri, mbajti edhe një fjalim kinse të fortë, beri dy selfie, rrasi një orbitë nën dhëmbë, vuri syzet me skelet të trashë si intelektual dhe ndenji rëndë po rëndë ama si njeri me ndërgjegje qelibar pa gëzim të dukshëm e pa mërzi të konturuar. Më vonë u pa në shoqërinë e Taos e të dy bashkë si vëllezër të dlire ngjanin që mos i prektë syri i keq. Damua nuk u gjind aty për një treshe-foto.

Folën ministrat Babo si profetët në tempull, si misionarë, si evlatër perëndie. Nja tre fjalime ishin nga ato që të ndryshojnë jetën, qe të kompleksojnë kulturën e sjelljen. U pendova si dreqi që nuk kërkova të na i rilexonin edhe një herë, më ngadalë, më me Patos, më ëmbël që të këndelleshim në kënaqësi të goditur nga e bukura, nga e mira, nga e duhura , nga paternalizmi i epërm. Të gëzohej salla.

Bora e lexoi rrjedhshëm kësaj here vetëm një kumbull i ra nga goja. ” Mendoni sikur jeni fëmijë dhe doni një park teknologjik pyeti?”! Ja e menduam u gjegjem me naivitet- e patë tha si Babo e ndërtoi tëk fëk ?! Pooo e pamë – ne.

Edona na bëri analizë mendore neve të opozitës, po kaq test inteligjence, vizionesh po e po. Nuk dinim ç’të bënim të qanim a të qeshnim për demiurget që na ke sjellë. Ah po edhe nja dy deputetë, emri i të cilëve nuk me vjen po kaq mirë cicëruan. Për Krifcën e Braçen u llafosem , thirri Babo puqi bëji të përqafohen para teje e të pajtohen se lanë nam. Ashtu duket ai Braçja parimor i madh po është tinëzar hedh gurin mbi ballin e Fridës dhe fsheh dorën në xhepin e Mimit. Delina qesh e qesh , qesh e qesh thuaj të na tregoje dhe ne të gëzohemi se njerëz jemi jo dreqër.

Elisa e sapo ardhur nga Hadi flet për të vdekur, për katranë me bojë Tao i zbritur nga parajsa si shënjtor apo Borromin pikturon djallin mes nesh, llahtarisi dynjanë i uruari. Nekropolitika dhe teologjia politike po marrin formë. Doktori e përzieju sallën prapë ! I iku goja në vend që të thoshte “Skenderbuçi i Spiropalit” tha një llaf më të lig po kërkoi ndjesë, u tërhoq dhe Elisa nuk dëshmoi tahmah, po të fal Tao me Klotildën? Durojnë ata rënie stili? Kurrë! U ndezën burra e gra kërkonin kurban, kurban, kurban , jahu jahu jahu, bërtisnin . Në pjatë donin kokën e Doktorit po Zonjës Linditë nuk i bëri dora t’ia presë , thjeshtë e qortoi rëndë dhe ai u skuq. Ajo mirë bëri se dorën e shtrirë se pret shpata po edhe ti këta të tutë bëji terbiet të mos marrin kot si flakë kashte.

Babo çudi e madhe , Margeriti po e shikonte Doktorin gjithë kaltërsi kur ai ju kthye pse me sheh? Se kuptuam dot për atë ankesë nazike. Margeriti e pa përsëri. Na habiti Elvi sikur kishte udhëtuar me Lizën në boten e çudirave duke nominuar riceneronët, gogolë, kukuvajka , dragonj me tuta mëndafshi , lakuriq nate me parzmore, aq sa u tremb Mondi dhe me të drejtë i tha të të vijë rënde mbaji për vete, kë tremb ti me gogolë e shpirtra të këqij, vendosi tek muzeu i Surrelit. Po kështu u ngrita Ina me syrin pishë e ushti foltorja ” Butrinti Butrinti buçet thirrja për liri a do mbetet Butrinti ynë a do bëhemi shkrumb e hi” ! Fatja më mbajti përsëri maraz por me kurajo nuk reshti së udhëzuari qysh do bënet Shqipëria zonjë e rëndë. Gaz Bardhi ka kohë që po u ikën premtimeve për të na freskuar pasditeve me Red Bull.

Por dje ja bëra rezil mjekrën. Dje është marre me oligarkun Çet pa ju dridhur qerpiku e mirë bëri po kushedi sa është gëzuar politikani Lul që e ka zët. Me gjithë se koleget vinin një e nga një askush nuk e zëvendësoi Joridën aq sa Saliani si shpirtkazmë që është me tha, ” kështu të pafsha gjithmonë kok e qyq , meqenëse nuk ta mbushim synë, ndërkohë aty pari kaloi Albana dhe befas melankolia u shua. Majko ndenji me stoicizëm gjithë ditën e psherëtiu ” eh sa të rrojmë do mësojmë” ndërsa Shalsin e pa mjekër nuk e njihte celulari i tij. Jam Shalsi i thoshte ky , je Blendi Klosi i përgjigjej ai. Pse duken të gjithë njësoj Babo para teknologjisë?

Zëvendës Lideri i Partisë Muli më ka ftuar për drekë të martën uroj , shumë të vijë me mend në kokë e me dorë në kuletë, ku vera e mirë të derdhet si gjak në altarin e bashkimit të Partisë. Po eja Babo eja se mirë ne që nuk të meritojmë po këta të tutë po të bëjnë gjëmën se shtëpia pa zot merr zjarr kot. Po qesh mileti dhe ti e ke zët talljen kur më lehtë pranon tragjedinë e ndëshkimit.

Forum #Babo agron gjekmarkaj Rama