
Partia e Lirisë dhe foltorja vijojnë të tjerrin çështjen e inceneratorëve. Emërimi i Brisida Shehajt në krye të antikorrupsionit në Partinë e Ilir Metës pritje të sillte “tërmet”, por si duket edhe afrimi i saj rezultoi merkato e dështuar.
Pasi kaloi historia e tragjedisë së Himarës, Meta e Berisha i janë kthyer sërish sot çështjes së inceneratorëve. Fillimisht ishte ish-presidenti që sulmoi AZHBR. “Dëgjoni si drejtoresha e AZHBR gënjen hapur përfaqësuesin e Shoqatave të Fermerëve, Ervin Resuli për implikimin në aferën e inceneratorëve. Ndaj është bujqësia në mjerim se edhe AZHBR ka prioritet përkrahjen e aferës se inceneratorëve”, shkruan Meta në rrjetet sociale.
Ndërkohë pak minuta më pas doli në një konferencë për mediat Belind Këlliçi i Foltores. Ai sulmoi SPAK për hetimin e inceneratorëve.
“Tani disa pyetje, mendoj krejt bazike, për SPAK-un: 1) Pas gjithë denoncimeve me fakte, data, emra dhe shifra, për një çështje që flitet në çdo mjedis, në parlament, nëpër kafene, në rrjete sociale dhe media, si ka mundësi që gumëzhin gjithë Shqipëria dhe vetëm ju nuk flisni?! Çfarë ju mban gojëmbyllur? Apo më mirë t’ju pyes, kush e ka fuqinë t’ju mbajë gojëmbyllur? 2) Përse nuk thërritet Erion Veliaj për dokumentin e firmosur në mars të vitit 2017, atëherë kur me firmën e tij ndryshoi fatin e kontratës për inceneratorin e Tiranës? Përse ky trajtim i veçantë për Veliajn?”, tha Këlliçi.
Si duket gushti i ka lënë pa “ushqim” krerët e foltores dhe Partisë së Lirisë, prandaj çdo ditë po tjerrin çështjen e inceneratorëve.