Aktualitet 1 Dhjetor 2022, 21:53

“Foltorja” e izoluar totalisht, besnikët e Berishës jashtë Komitetit PE-Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti

Komiteti Ndërparlamentar Shqipëri-BE për Stabilizim-Asocimin ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës në Bruksel.

Përfaqësues të opozitës dhe mazhorancës kanë diskutuar mbi reformat në vendin tonë, ku janë ngritur dhe një sërë shqetësimesh.

Ajo që u vu re është se në Bruksel opozita përfaqësohej nga grupi i Alibeajt, pasi besnikët e “Foltores” kanë mbetur jashtë. Delegacioni i PD përbëhej nga: Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Kreshnik Çollaku, Oriola Pampuri, Zheni Gjergji, Gazment Bardhi, Arbi Agalliu dhe Saimir Korreshi. Pra asnjë mbështetës i Berishës nuk ka qenë pjesë e grupi, duke dëshmuar se askush nuk e përfill Berishën në arenën ndërkombëtare.

Sa i takon diskutimeve, opozita propozoi disa amendamente në rezolutën që do të miratohet në fund të takimit.

Opozita shpreh shqetësimin: Për faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me nivele veçanërisht të konsiderueshme të ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave dezinformuese dhe janë viktima të sulmeve kibernetike; bën thirrje, në këtë drejtim, dënon aktivitetet dhe sulmet kibernetike kundër Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ne nuk duhet të tolerojmë sulmet kibernetike që synojnë infrastrukturën dhe shërbimet dixhitale. Mbështet dhe apelon për më shumë masa të autoriteteve shqiptare për të parandaluar përsëritjen e shkeljeve masive të të dhënave personale dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR); i bën thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të saj që t’i ofrojnë Shqipërisë, si dhe aleatëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, ndihmën e nevojshme”, thuhet në amendamente e PD.

Gjatë takimit, Gazment Bardhi theksoi se një çështje që vijon të jetë një shqetësim ende i pa adresuar, mbeten të drejtat e pronësisë. “Procesi i regjistrimit digjital i të dhënave kadastrale jo vetëm nuk është i kënaqshëm, por mbetet i prirur ndaj korrupsionit. Po ashtu procesi i kompensimit për pronat e shpronësuara padrejtësisht përgjatë regjimit komunist është ngadalësuar gjatë vitit, në pritje të ndryshimeve në legjislacion. Vetë procesi i regjistrimit sipas progres raportit është thuajse në kolaps, ku 80% e regjistrimeve kanë gabime dhe ku 1 e 10 e të gjithë territorit mbetet ende jashtë hartave kadastrale. Kjo gjendje vijon të mbaj peng gëzimin e të drejtës së pronësisë për qytetarët shqiptar si dhe zvarrit procesin e kompensimit”, tha ai

Enkelejd Alibeaj, u ndal te zgjedhjet dhe raporti i ODIHR. Sipas tij, qeveria ka përdorur asetet shtetërore për fushatë. “Gjithashtu rrjedhja e të dhënave të 900 mijë qytetarëve shqiptarë me informacione sensitive, duke përfshirë dhe preferencën zgjedhore, përbëjnë një ndër rastet më flagrante të cenimit të sigurisë së votës së lirë, çka dhe progres raporti i KE e ka ngritur si ndër çështjet më qetësuese. Çështje kjo ende e paadresuar në mënyrë përfundimtare nga institucionet kompetente gjyqësore”, tha ai.


smile

Kryesore Alibeaj BE foltorja komiteti pe shqiperi