Aktualitet17 Nëntor 2022, 11:11

Foltorja shkakton përplasje në Kuvend/ Berisha bllokon foltoren, besnikët e tij i hakërrehen Alibeajt

Shkruar nga Pamfleti
Foltorja shkakton përplasje në Kuvend/ Berisha bllokon foltoren,

Sali Berisha dhe besnikët e tij kanë shkaktuar tensione dhe debate sot në seancën parlamentare. Që në nisje të saj pati tensione, pasi mazhoranca refuzoi që të ketë debate për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Kjo gjë solli irritim në sallë, ndërsa më pas plasën fyerjet dhe akuzat.

Deputetja Albana Vokshi e konsideroi këtë një tentativë për t’i mbyllur gojën opozitës.

E pritshme që mos të pranoni debatin, por ju po tentoni ti mbyllni gojën opozitës. Keni hequr të drejtën e fjalës, deputetëve, grupeve të interesit, keni frikë nga fjala, shkelni në mënyrë të vazhdueshme rregulloren, kushtetutën duke e kthyer parlamentin në mbrojtës me arrogancën e votave ministrat tuaj që po rrëmbejnë votat”, tha Vokshi.

Më pas e morën fjalën Edmond Spaho dhe Tritan Shehu, të cilët ju hakërryen Alibeajt. Konferenca e Kryetarëve ka vendosur mocion me debat për integrimin, por deputetët u ankuan se nuk kanë kohë të flasin. Ata akuzuan Alibeajn se ka bërë pakt me PS që atyre tu hiqet koha.

Duke marrë shembullin tuaj, duke u bërë kopja juaj, duke u bërë të klonuarit tuaj na e heqin ne emrin në mënyrë të turpshme, në mënyrë të padrejtë. Kam qenë ministër i Jashtëm dhe të mos kem të drejtë të flas për integrimin. Na është hequr e drejta dhe shumë kolegëve të tjerë. Ky është një turp i botës që bëhet nga këta që kujtojnë se drejtojnë një pjesë të njerëzve këtu që kanë marrë me vete figura dhe pozicione absolutisht surreale. Kështu nuk shkohet në integrim duke shkatërruar rregullore, ju në një anë, këta që janë para meje në anën tjetër”, tha Tritan Shehu.

Në fund ishte Sali Berisha, ishte ai i cili tentoi të merrte fjalën, por drejtuesja e seancën nuk e pranoi. Më pas ai bllokoi foltoren dhe kjo bëri që të futen rojet e Gardës. Më pas Berisha dhe deputetët e tij morën fjalën duke transmetuar atë në Facebook. Në krah të Berishës doli Flamur Noka, i cili deklaroi se nuk mundet që ata të kenë vetëm dy minuta për të folur.

Këtu vjen një kryeministër, flet me një gjuhë prej horri dhe këtu jo vetëm që nuk reagohet por ata aty shohin me admirim, këta këtu shohin me adhurim. Pastaj pse dy deputetë reagojnë ndaj sharjeve përjashtohen. Kjo është e papranueshme, është e turpshme për një Parlament. Te rasti i zonjës Xhaçka, duhet debat i gjerë. Nuk ka precedent në botë ti jepet investitor strategjik titulli ministres. E bëni vetëm ju. Kjo tregon që jeni një bandë që doni vetëm të vidhni dhe kërkoni që të mos reagojë njeri. Këtu keni nxjerrë një listë diskutantësh. A jam unë deputet? Pse unë kam 2 minuta kohë, ndërsa kolegët e tjerë nga 20 minuta të lexojnë hartime?”, u shpreh Noka.

Drejtuesja e seancës u shpreh më pas se ata nuk kanë grup parlamentar dhe për këtë arsye koha është e kufizuar.

Alibeaj: Ne nuk bëjmë pazar me askënd

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar mocion për debat për mandatin e Olta Xhaçkës, duke thënë se nuk duan vetëm lexim të raportit. Alibeaj po ashtu u ndal të gjuha e përdorur nga Rama në Kuvend duke i thënë zv.kryetares së Kuvendit se nuk ka guxim që të marrë masa. Po ashtu ai reagoi dhe për sulmet nga kolegët e tij.

Kërkohet debat, jo vetëm lexim i raportit apo tjetrës palë. Kërkohet debat. Çështje e konfliktit të interesit që parlamenti nuk duhet të ketë në shkelje të ligjit. Për mocionin sot, është kërkuar nga grupi parlamentar i PD dhe vendosni kohë që çdokujt t’i krijohet mundësia secili që të flasë. Këtu nuk bëhet Pazar me askënd. Kushdo që përdor fjalë të lidhur me Ramën, të shitur te Rama, t’i tërheqë se është turpi i tyre”, tha ai. /Pamfleti

Kryesore Berisha debate Kuvend