
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka folur në emisionin “Kjo javë” në lidhje me protestën e thirrur nga Berisha, duke thënë se tashmë Partia Demokratike është gati për ta rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.
Sipas saj, do të vijohet me protesta dhe pjesëmarrja masive e qytetarëve në protestën e 7 korrikut tregoi se ata besojnë në forcën e PD-së.
“Kemi kaluar një proces jo pak të vështirë, riorganizmin e PD. Fakti i mirëorganizimit të protestës ishte testi i parë që u kalua me sukses edhe sepse elektorati na besuan. Pra jemi një forcë që qytetarët i besuan. Jemi një front për shpëtimin e Shqipërisë, ata besuan tek kjo forcë politike. A jemi ne gati? Po jemi! Ishim në shesh, do jemi në shesh, vetëm protesta, është rrugë me një kalim, nuk ka kthim pas. Do të shfrytëzojmë çdo hapësirë për të bërë opozitë reale”, deklaroi Vokshi.