Aktualitet 4 Korrik 2022, 12:02

Foni i “Bana King” që u kap me 119 kg. kokainë, po lobon me “çek të bardhë” për të shpëtuar djalin në Gjykatën e Apelit

Shkruar nga Pamfleti

Foni i “Bana King” që u kap me 119 kg. kokainë, po lobon me “çek të bardhë” për të shpëtuar djalin në Gjykatën e Apelit

“Klientët” e tij në kupolën policore, tentuan ta lejonin të arratisej nga arresti shtëpiak/ Për kokainën e kapur brenda kamionit me banane, nuk duhej prangosur i biri me detyrë “Shef shitjesh”, por sipas përgjegjësisë administrative e Kodit Penal, duhej arrestuar Trifon Murataj, pronar dhe administrator i kompanisë, mirëpo me fuqinë e disa pronarëve mediash që vazhdojnë i bëjnë reklamë dhe shefave të pushtetit, policisë e drejtësisë që kanë ngrënë “banane”, ai është lënë jashtë dosjes hetimore

Ndërsa po bën jetë luksit mes Dubait e Amerikës, pronari i kompanisë së bananeve “Bana King”, Trifon Murataj, nga frika e arrestimit nuk po shkel prej 6 muajsh në Shqipëri, paçka se ka marrë garanci paprekshmërie nga shefat e qeverisë, të policisë e drejtësisë.

Por “Foni” i bananeve e kokainës, siç e njohin qarqet e trafikantëve dhe agjentët e DEA-s, po lobon me ‘çek të bardhë’ në dorë në Shqipëri, për të liruar nga burgu djalin Marson Murataj, i cili u prangos më 31 dhjetor 2021, për 119 kilogramë kokainë të gjetur brenda magazinës në Vaqarr.

Fillimisht, më 2 janar 2022, Gjykata e Shkallës së Parë- Tiranë e la në burg pa afat Marson Muratajn, por fuqia e milionave të hedhura nga babai bos i “Bana- King”, bëri që po kjo gjykatë, më 4 shkurt 2022, ta kalonte në “Arrest shtëpie”, gjoja se nuk ka lidhje me kokainën e kapur.

Mirëpo prokuroria kërkoi rikthimin e tij në burg, mbasi disponon prova të plota, të përfshirjes së Marson Muratajt e 2 shoferëve të firmës, në trafikun e 119 kg. kokainë si “pritës në Portin e Durrësit, transportues, fshehës në magazinë e kalim transit në Shqipëri.

Katër ditë pasi prokuroria kërkoi rikthimin e tij në burg, SHISH njoftoi agjencitë ligj-zbatuese dhe ministrin e Brendshëm Bledar Çuçi, se drejtues të Policisë së Shtetit e të Tiranës, po përgatisnin lejimin e Marson Muratajt, të dilte nga “Arresti shtëpiak” e të largohej nga Shqipëria me destinacion Dubain, ku prej 3 muajsh po qëndron dhe i ati Trifon Murataj.

Ku skenar dështoi, ndërsa SPAK në konfidencialitet të plotë, ka filluar hetimin për këtë rast, por ende nuk ka piketuar zyrtarë të lartë policie të përfshirë, paçka se flitet për miq të afërt në kupolën e lartë të policisë e krimit ekonomik, me të cilët bisedoi para gjoja zbulimit të kokainës në magazinë.

Tashmë, Trifon Murataj po lobon edhe tek bosët e  mediave që i bëjnë reklamën dhe në qarqe të larta të pushtetit e drejtësisë, për të “blerë” prokurorët dhe gjyqtarët e Apelit të Tiranës, që t’i lirojnë djalin nga burgu e t’i mbyllin dosjen.

Përveç djalit, Foni i “Bana King” e kokainës, ka detyrim të nxjerrë nga burgu dhe dy shoferët H. Saliaj e G. Kalaja, të cilët u përdorën prej tij e prej të birit, për të marrë kokainën në  Durrës, për ta transportuar e pas zbulimit, për të sajuar alibinë e gjoja grabitjes së kamionit.

Madje, shoferët i kanë bërë presion Trifon Muratajt, se nëse do  lirojë vetëm djalin e ata do lihen në burg; do rrëfejnë gjithçka, madje dhe për një ngarkesë kokaine futur në fund të muajit dhjetor 2019, fshehur në ndihma ushqimore, dhënë për tërmetin në zonën e Bubqit.

Lobimin për ta liruar e për ta nxjerrë “të pastër” të birin në Apelin e Tiranës, Trifon Murataj po e bën para se dosja e “Bana King”, të transferohet te SPAK, për shkak se nga provat konstatohet grup i strukturuar kriminal prej disa vitesh në trafikun e kokainës Ekuador-Shqipëri.

Një shpjegim duhet të bëjnë policia e prokuroria: – Përse për kokainën, u prangos i biri me detyrë “Shef shitjesh”, kur sipas përgjegjësisë administrative, tatimore e Kodit Penal, duhej arrestuar Trifon Murataj, pronar dhe administrator i kompanisë “Bana King”?/Pamfleti


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Kryesore #"çek i bardhë" #Bana King #trifon murataj Gjykata e Apelit