
Kryeminsitri Edi Rama, mori pjesë në panelin “Zgjerimi i horizonteve të Evropës” në Samitin e Davosit, së bashku me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar dhe Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama vuri në dukje se pavarësisht punës që vendet e rajonit bëjnë në kuadër të përpjekjeve për tu bërë pjesë e BE-së, për Bashkimin Evropian nuk është kurrë e mjaftueshme, dhe si shembull ai mori reformën në drejtësi.
“Ne na u kërkua dhe morëm mbështetje për të bërë këtë pastrim të gjykatësve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë. 9 nga 11 gjykatës u larguan se nuk justifikuan dot pasurinë. Dhe ne menduam se Bashkimit Evropian do t’i pëlqente kjo gjë, por ata thanë mirë, por nuk keni Gjykatë Kushtetuese. Ne operuam pacientin me sukses, e kuruam, por BE e kërkonte që të vraponte”, tha Rama.
Pavarësisht kritikave, Rama deklaroi se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në qendër të Evropës dhe nuk kanë ndërmend të shkojnë tjetërkund, por duke përjashtuar shqiptarët theksoi se ndikimi rus në rajon është i rrezikshëm.
“Ballkani Perëndimor është në mes të Evropës. Ne nuk kemi për të shkuar askund. Njerëzit në Bruksel duhet që të kuptojnë se jemi në një situatë kur mbështetja për integrimin po bie dhe kur Putin në disa prej shteteve të rajonit po shihet si hero,” përfundoi ai.