E mbështjellë me një jorgan dhe me ballin e gjakosur, imazhi i Marianna Vyshemirsky u bë viral në mbarë botën ditët e para të luftës në Ukrainë.
Fotoja është bërë pas një sulmi ajror rus në Mariupol. Marianna ishte shtatzënë në atë kohë dhe do të lindte vajzën e saj në çdo moment.
Fotoja e saj qarkulloi në internet e në faqet e para të gazetave, por edhe u debatua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Por kjo nuk u mbyll me kaq. Pasi ajo i mbijetoi sulmit ajror, Marianna u përball me një sulm tjetër – dezinformimin dhe urrejtjeje që synonte atë dhe familjen e saj.
Ndërsa Rusia u përpoq të mbillte gënjeshtra për sulmin, 29-vjeçarja Marianna u akuzua në mënyrë të rreme se po inskenonte ngjarjen. Madje, diplomatët rusë pohuan se ajo kishte “luajtur” jo një, por dy gra të ndryshme.
“Kam marrë kërcënime se do të vinin dhe do të më gjenin, se do të më vrisnin, se fëmija im do të copëtohej”, thotë ajo në një intervistë për BBC, e para e saj me një media të madhe perëndimore.